Xherdan Shaqiri është shqiptari i mbrëmjes së marte në futbollin evropian.
Gjilanasi ndonëse ka luajtur në 45 minutat e dytë për Zvicrën, ka qenë autori i golit të vetëm në humbjen nga Anglia (1:3) në kuadër të grupit G.
Shaqiri në minutën 71, me një gjuajtje precize nga mëse 25 metra ka zbutur përkohësisht rezultatin, duke i dhënë shpresë helvetikëve që kishin mbetur me një lojtar më pak në lojë. Albert Bunjaku nuk ishte grumbulluar për këtë ndeshjes nga Ottmar Hitzfeld.
Munguan Beqiraj, Kuqi
Fatos Beqiraj ka qenë rezervistë, por sulmuesi pejan nuk është angazhuar në fitoren e rëndësishme të Malit të Zi në grupin G në Sofje ndaj Bullgarisë nikoqire (1:0).
Sulmuesi vushtrrias, Shefki Kuqi nuk është grumbulluar fare nga selektori Stuart Baxter për ndeshjen që kombëtarja e Finlandës pësoi humbje si mysafire e Holandës (2:1) në kuadër të grupit E.
Bajrami në deklasimin e San Marinos
Emir Bajrami ka luajtur gjatë tërë 90 minutave për Suedinë, e cila ka shënaur fitoren më të thellë të mbrëmjes, duke deklasuar San Marinon (6:0). Kjo është ndeshja e dytë te grupit E e Suedisë që sulmuesi i Tventes nga Holanda e luan si titullarë.
Sërish asnjë shqiptar për Maqedoninë
Është psëritur skenari i së premtes, pasi që asnjë futbollist shqiptar nuk është paraqitur për përfaqësuesen e Maqedonisë në futboll, e cila megjithatë në ndeshjen e grupit B, nuk ka shkuar më shumë se një barazim me Armeninë (2:2) në Shkup. Deri sa të premten, shqiptari i vetëm i grumbulluar ka qenë sulmuesi, Agim Ibrahimi të martën, në bankën e rezervistëve ka qëndruar Armend Alimi.









