Arjen Robben një kohë të gjatë do të kujtohet si futbollist tragjik i kombëtares së Holandës. Emri i tij lakohet kudo për dështimet e dy rasteve gjatë ndeshjes finale, e cila u zhvillua të dielën që e lamë pas. Robben një hero për gjatë kampionatit që u shndërrua në figurë tragjike.
Shumë njohës dështimet e tija i komentojnë në mënyrat e ndryshme, disa thonë se sikur të ishte më i vëmendshëm do të shënonte gola, e disa thonë se futbolli nuk do të ishte interesant pa dështime. Arjen Robben pa dashur të shfajësojë veten për dy raste që huqi, në thumb të kritikave ka vënë gjyqtarin anglez, Howard Webb.
“Ishte një finale e Botërorit. Ju po flisni për dy ekipe agresive që duan të fitojnë. Ishte në dorë të gjyqtarit ta kontrollonte takimin. Është keq nëse qëndroni në teshatore së bashku dhe flisni vetëm për gjyqtarin dhe pikat e tij të dobëta. Kishte disa vendime të çuditshme dhe për mua, sinqerisht, nëse luani një finale të Botërorit, atëherë ju duhet një gjyqtar i klasit Botëror. Nuk e di nëse ajo ishte performancë e klasit botëror nga gjyqtari”, ka thënë Robben.
Kritikat e këtij futbollistit nuk kanë të ndalur, sepse mendon sikur gjyqtarit të ishte më syçelë sigurisht edhe rrjedha e ndeshjes do të ishte më ndryshe. Robben mendon se gjyqtari ka mundur lehtë të ndëshkoi me karton të kuq Puyolin kur pati një ndërhyrja nga prapa ndaj tij.
“Ndërhyrja e Puyol në mua ishte shumë e qartë. Ai është dashur ta përjashtonte atë dhe të akordonte gjuajtje të lirë. Kjo na kushtoi neve vetëm për shkakun se nuk u rrëzova. Ishim dhjetë minuta para përfundimit të takimit në atë moment. Nëse do ta shënonim golin do të kishim fituar. Por, unë nuk mund të shënoja sepse portieri ishte shumë afër”, tha Robben.
Pavarësisht kritikave të rrepta që ka dhënë në gjyqtarin, Robben ka thënë se Spanja është kombëtare e fuqishme.
“Spanja është ekip i fuqishëm. Ne e kemi pasur planin tonë dhe tentuam ta luanim futbollin tonë, por Spanja ka ekip të mirë me futbollistë të mëdhenj. Ne tentuam t’i ndalnim ata në mënyrë defensive, organizimi ynë ishte i mirë dhe ne krijuam raste.Ne nuk mund ta kritikojmë veten. Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Një ekip gjithnjë duhet të fitojë, por është frustruse kur kjo ndodh katër minuta para fundit”, ka thënë Robben.
Adhuruesit në Holandë janë të hidhëruar që dështoi Holanda të fitoi për herë të parë në histori kupën e Botës. Holanda për herë të tretë ka qenë në finale, pas vitit 1974 e 1978 tashmë edhe në 2010, por asnjëherë nuk e përqafoi trofeun e botës. Thonë se e treta është e vërteta, por për Holandën nuk ishte kështu. Fundja, holandezët dhe Robben duhet të jenë të kënaqur edhe me vendin e dytë, pasi iu solli medaljen e argjendtë.









