Për herë të parë në Liqenin e Batllavës është organizuar maratona ndërkombëtare ”Kosova 2010” në not.
Notaret e notarët e kombëtares së Kosovës treguan rezultate mjaft të mira sidomos Rita Zeqiri, e cila e zuri vendin e tretë në një konkurrencë shumë të fortë, ndërsa Drin Llalloshi ka dalë i gjashti. Maratonën ”Kosova 2010” e dominuan notaret e notarët nga Maqedonia. Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë 28 garues (18 meshkuj e 10 femra) nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Shtegu ka qenë i gjatë 4.2 kilometra.
Në konkurrencën e meshkujve, vendin e parë e zuri maqedonasi Evgeni Popacev nga Maqedonia me kohë të kaluar 0,58, 36 minuta, ndërsa i dyti renditet Tomi Stevanovska (Maqedonia) me kohë 1,01, 57 orë, i treti Jakov Jovanov (Maqedonia) 1,02, 03, ndërsa i gjashti renditet Drin Llalloshi nga Kosova me kohë të kaluar 1,10,18 orë. Në konkurrencën e femrave, dominuan maqedonase, duke e zënë vendin e parë Vanja Jovanova (Maqedonia) me kohë 1,05,54 orë, ndërsa në pozitën dytë është renditur Suila Kosova nga Shqipëria me kohë 1,11,00. Rita Zeqiri nga Kosova ka dëshmuar formë jashtëzakonisht të lartë, duke e zënë vendin e tretë me kohë të kaluar 1,13, 03 orë.
”Është hera e parë që marrë pjesë në maratonë dhe jam shumë e lumtur që e zura vendin e tretë. Thënë të drejtën nuk kam pritur më shumë në këtë garë, pasi që ka qenë konkurrencë shumë e fortë. Për mua ka qenë një përvojë e madhe, sepse të jesh e treta në konkurrencë kaq të fortë, ku morën pjesë edhe notaret nga Shqipëria e Maqedonia, është sukses mjaft i madh”, ka thënë Rita Zeqiri. Sekretari i përgjithshëm i FNK-së, Astrit Haliti, tha se ka qenë shtegu i organizuar mjaft mirë. Maratona është organizuar nga FNK-ja në bashkëpunim me Departamentin e Sportit të Kosovës.
”Ka qenë konkurrencë shumë e fortë. Shtegu në nivel të lartë dhe cilësia e lartë”, tha Haliti. Vendi i parë është shpërblye me 500 euro, i dyti me 350 euro dhe i treti me 200 euro.
Rezultatet
Meshkujt
1. Evgeni Popacev (Maqedonia) 0,58, 36 minuta
2. Tomi Stevanovska (Maqedonia) 1,01, 57 orë
3. Jakov Jovanov (Maqedonia) 1,02, 03
4. Stefan Stojanovski (Maqedonia) 1,05,38
5. Johan Dhimxhimi (Shqipëria) 1,08,48
6. Drin Llalloshi (Kosova) 1,10,18
Femrat
1.Vanja Jovanova (Maqedonia) 1,05,54 orë
2. Suila Kosova (Shqipëria) 1,11,00
3. Rita Zeqiri (Kosova) 1,13, 03
4. Dea Kalanova (Maqedonia) 1,13, 03
5. Shirmi Myrtaj (Shqipëria) 1,13,03
6. Dëbora Geci (Shqipëria) 1,17,15









