Klubi i basketbollit Peja e përmbylli edicionin e sivjetshëm duarthatë, pasi në të dyja garat si në përfundimtare të kampionatit po ashtu edhe atë të kupës arriti vetëm deri në gjysmëfinale.
Pejanët janë në pushim, megjithatë, do të vazhdojnë edhe të ardhmen të bazohen në forcat vendore. Kështu bëri të ditur Fatmir Gashi, kryetar i KB Peja.
“Do të vazhdojmë me politikën e njëjtë të klubit edhe në edicionin e ri, ku do të mbështëtemi kryesisht te lojtarët vendorë”, tha Gashi. Ai thotë se gjatë ditëve në vazhdim do të tentohet ta rikthejnë në skuadër edhe trajnerin Bujar Loci, në mënyrë që të gjithë në Pejë të jenë vendorë.
“Jemi duke biseduar që Loci të kthehet në skuadër në mënyrë që edhe trajnerin ta kemi vendor”, theksoi Gashi. Përkundër faktit që pejanët nuk e shijuan së paku finalen, i pari i skuadrës dukagjinase thotë të kenë kaluar me sukses kampionatin.
“E vlerësojmë të sukseshëm kampionatin e kaluar edhe pse arritëm vetëm deri në gjysmëfinale, zatën këtë edhe e kemi pasur qëllim”, tha ai. Ai premton se pejanëve nuk do t’iu rriten apetitet për përforcime, sipas tij më e rëndësishme është kalitja e lojtarëve të rinj dhe mburret me rezultatin e ekipit të juniorëve, të cilët u shpallën kampion të Kosoëvs. “Për neve më me rëndësi është fakti se jemi shpallur kampion me skuadrën e juniorëve se sa ta përbëjmë skuadrën e parë me lojtarë të huaj e të marrim ndonjë titull”, thotë Gashi. Ai shton:Pranimi i Kosovës në garat ndërkombëtare apo vetëm në ato miqësore do të jetë fat për ne, pasi do të përputhet edhe me politikën e klubit tonë, që të rinjve t’i jepet më shumë mundësi”.
Gashi është edhe anëtar i bordit të FBK-së, e vlerëson në dy mënyra kampionatin e fundit. Sipas tij, cilësia e ligës ka qenë pak më e dobët se e një kampionatit më parë, pasi në të ka pasur më shumë basketbollist vendorë, megjithatë është një kampionat më i mirë se të tjerët. Gashi, më pas lavdëron edhe punën e kryetarit të FBK-së, Erolld Belegu, i cili sipas tij ka bërë aq sa mundet për ndërkombëtarizimin e basketbollit.
“Kryetari së bashku me bashkëpuntorë ka bërë aq sa ka mundur për ndërkombëtarzim, por lobi serb i basketbollit ka qenë i fuqsishëm deri tani për të na penguar.
“Shpresojmë që tani në Turqi, të marrim me shumë përkrahje nga ata”, tha kryetari i klubit pejan. Gashi edhe pse lavëdron punën e Belegut, në fund tha se po t’i kërkohej, do të pranonte që edhe vetë të ulët në karrigën e të parit të basketbollit./botasot









