“Synimet janë që të ngjitet Prishtina aty ku e ka vendin, pra në kreun e tabelës. Nga ana tjetër, çdo futbollist do të japë përgjegjësi dhe askush nuk mund të thotë se në këtë lojë nuk e patëm ditën”, -tha kryetrajneri Ramiz Krasniqi.
Kampioni në fuqi, Prishtina është e gatshme për betejat e stinori pranveror në Reiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina skuadër që gjithmonë ka ambicie titullin e kampionit, por mbi të gjitha shquhet për lojëra korrekte dhe disiplinë të lartë. Ramiz Krasniqi, kryetrajner i Prishtinës, ka thënë se në klub mbretëron jashtëzakonisht një atmosferë e mrekullueshme dhe disiplinë e lartë.
“Jemi përgatitur për stinorin pranveror. Kemi pasur edhe disa ndeshje kontrolluese në kuadër të përgatitjeve që kemi zhvilluar në Ulqin të Malit të Zi. Kemi punuar në disiplinë të lojës dhe në ndërtimin e lojës kolektive. Kjo nuk do të thotë se Prishtina nuk ka individë të fortë, por ata individët do të dëshmojnë veten në çastet kur duhet për t’u dëshmuar.
Në përgjithësi jam i kënaqur me përgatitjet dhe me formën që dëshmuan futbollistët në ndeshjet miqësore. Skuadra jonë përbëhet me futbollistë kryesisht të rinj, kështu që kemi pasur edhe disa korrigjime në lojën e tyre. Konsiderojë se 80 për qind kemi komponuar lojën në të gjitha repartet, duke u nisur nga mbrojtja, mesfusha si dhe sulmi. Një gjë dua të them se çdo futbollist do të jep përgjegjësi për lojë dhe askush nuk mund të arsyetojë lojën e dobët të tij kinse se ka pasur ditën.
Në futboll duhet angazhim dhe jo të merrem me filozofinë se nuk e kam pasur ditën”, tha Krasniqi. Shtyrjen për katër ditë të stinorin pranveror, Krasniqi nuk e merr si befasi, por si gjë e pritshme. “Nuk është befasi pse është shtyrë stinori për pak ditë sepse të gjithë i dimë rrethanat çfarë janë në stadiumet e Kosovës.
Edhe vitin e kaluar edicionin pranveror ka nisur nga mesi i marsit, andaj edhe këtë vit nuk është vonë për mendimin tim”, theksoi Krasniqi. Në KF Prishtina mosha mesatare e futbollistëve është 21 vjeçe. “Natyrisht se kemi skuadër të re më një moshë mesatare 21-vjeçare.
Në klub kemi inkuadruar edhe tre futbollistë të talentuar nga juniorët. Valmir Sadiku e Shkëlqim Syla luajnë në repartin e mbrojtjes dhe Alban Bellopoja, mesfushorë, që ka dalë nga shkolla e futbollit Prishtina, është rikthyer nga Kroacia. Këta tre futbollistë juniorë janë mjaft të mirë që koha do të dëshmojë lojën e tyre”, tha Krasniqi. Synimet e Prishtinës janë të dëshmojë lojë sa më të mirë dhe të ngjitet në kreun e tabelës.
Drejtuesit Prishtinës mëtojnë ta mbrojnë titullin e kampionit. Prishtina renditet e teta në tabelë me 23 pikë dhe është 9 pikë më pak se i pari, Trepça. “Në klub mbretëron disiplinë e lartë dhe është atmosferë jashtëzakonisht e shkëlqyeshme. Synimet tona ta çojmë Prishtinën aty ku e ka vendin – në kreun e tabelës”, nënvizoi Krasniqi.
Prishtina kësaj të mërkure do të luajë ndeshjen e parë të pranverës në Pejë kundër Besës. “Besa si zakonisht është skuadër që luan futboll të mirë. Mirëpo, Prishtina udhëton në Pejë të bëjë lojë të hapur dhe cilësore. Qëllimi jonë është të marrim një pikë ose edhe të kthehem me fitore. Synimi është që të kthehem të pamposhtur, por vetëm me rezultat pozitiv”, tha Krasniqi. /botasot









