Pas shumë telasheve të mëdha me të cilat u ballafaqua skuadra e futbollit Drenica nga Skenderaj, më në fund nisin përgatitjen për kampionatin e ri.
Kryetrajneri Tahir Lushtaku, tha se gjendja në klub nuk është e mirë, por shpreson se brenda dhjetë ditëve gjërat do të rregullohen.
“Kuvendi Komunal i Skenderajt më ka premtuar se për dhjetë ditë do të rregullohet çështja financiare në klub si dhe do të zgjidhet kryesia”, tha Lushtaku.
Drenica tash nuk qëndron mirë edhe me fondin e futbollistëve, për arsye se në ditën e parë të përgatitjeve munguan katër futbollistë, që bartën barrën kryesore në edicionin e kaluar.
“Në ditën e parë ka qenë atmosferë e mirë e punës. Mirëpo, nuk ishin të gjithë futbollistët. Munguan katër futbollistë: Mensur Limani, Dugagjin Gashi, Fitim Haliti e Premton Muja. Me këta dy të fundit jemi duke negociuar që të mbetën në klub dhe shpresoj se do të gjejmë një marrëveshje. Ndërkaq, për Limanin e Gashin jam optimist se do të mbesin pjesë e skuadrës edhe në këtë kampionat. Po ashtu planifikojmë të përforcohemi edhe me katër-pesë futbollistë për kampionatin e ri”, ka thënë Lushtaku.
Në fushën e futbollit në Skenderaj kushtet janë mjaft të mira për punë. Lushtaku tha se përgatitjet kanë nisur me vonesë dhe do të jetë vështirë që ta zëmë hapin e humbur. Realisht do të jetë shumë vështirë të kompensohet koha e humbur, për shkak të problemeve që kemi pasur me çështje financiare. Problemet ende nuk janë zgjidhur dhe shpresojmë se brenda dhjetë ditëve do të heqim sadopak qafesh problemet që janë grumbulluar prej disa ditëve në këtë klub”, tha Lushtaku.
Deri në fillim të kampionatit planifikohet edhe zhvillimi i disa ndeshje miqësore, kryesisht me skuadrat nga Kosova.
“Planifikojmë t’i zhvillojmë katër ndeshje miqësore megjithëse do të jetë vështirë, sepse jemi të vonuar. Megjithatë, më mirë që i kemi filluar vonë përgatitjet sesa hiq. Besoj se me punën që do të bëjmë mund të arrijmë ta rrisim nivelin e lojës. Me gjithë këto probleme dhe halle që kemi, Drenica do të gjejë forcë që t’i stabilizojë radhët e veta dhe të jetë sa më e gatshme për betejat kampionale ”, theksoi Lushtaku.
Në përgatitje munguan
Mensur Limani, Dugagjin Gashi, Fitim Haliti dhe Premton Muja. /botasot









