Kur kanë mbetur edhe disa ditë deri në fillim të kampionatit botërorë, Afrika e Jugut 2010, në Kosovë, adhuruesit e futbollit kanë mundësi të shohin edhe një ballafaqim interesant.
Këtë të diele në kryeqytet do të zhvillohet finalja e Kupës së Republikës së Kosovës ndërmjet rivalëve tradicional, Lirisë dhe Vëllaznimit. Njëri nga sulmuesit më të spikatur, prizrenasi Uliks Emra, me të pyetur rreth këtij takimi shprehet qartazi: “Kupën patjetër që do ta dërgojmë në Prizren”.
Emra Lirisë iu bashkua në pranverë, shprehet të jetë shumë i sigurt për suksesin e skuadrës me të cilën iu bashkua në stinorin pranveror.
“Liria këtë vit ka zhvilluar një edicion të mirë, por synimi i ynë nga fillimi ka qenë trofeu i Kupës, dhe besoj që me fitore do ta kurorëzojmë një sukses të madh”. Liria në këtë edicion u paraqit mjaft e rrezikshme, dhe disa javë pa përfunduar kampionati ishte e renditur në pozitën e dytë të renditjes, por papritur filloi rënia e rezultateve të mira. Sulmuesi prizrenas, zbulon se “arpagjikët” janë përgatitur kryekëput vetëm për këtë garë.
“Katër javë pa përfunduar edicioni, edhe pse ishim në pozitën e dytë, ne u përqendruam vetëm në ndeshjet e Kupës, për këtë edhe trajneri ka inkuadruar në lojë futbollistë të rinj, në mënyrë që të kaliten për vitin e ardhshëm”.
Emra më parë ka mbrojtur ngjyrat e Vëllaznimit, me të cilën skuadër kishte humbur një finale të kupës, shprehet se arma më e fortë e gjakovarëve në këtë takim do të jenë adhuruesit tyre.
“‘Kuqezinjtë e Jakovës’, do të jenë arma më e fortë e Vëllaznimit, të cilët vazhdimisht janë në përkrahje të skuadrës së tyre, këtë e kam përjetuar sa kam qenë pjesë e skuadrës kuqezi”. Megjithatë, ai e vlerëson lartë edhe skuadrën e Vëllaznimit. “Ata kanë treguar lojëra të mira, sidomos, në pranverë”.
Emra përveç ballafaqimit me ish skuadrën e tij, në këtë takim do të përballet edhe me ish trajnerin tij, Ajet Shoshollin, me të cilën nuk i ka pas punët edhe aq mirë sa ishin së bashku në skuadrën e Prishtinës.
“Është e vërtet që sa ishim së bashku me trajnerin, Shosholli, unë jam ‘nxehur’ për gjatë 45 minutave dhe nuk jam inkuadruar fare në lojë, por përkundër mosmarrëveshjeve momentale unë kam respekt të madh ndaj tij, pasi është një trajner i mirë dhe sukseset e tij po vërehen edhe gjatë kësaj kohe te Vëllaznimi”.
Ky futbollist, në pjesën e parë të edicionit të sapo përfunduar, kishte mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Trepçës, tani kampione e Kosovës, thotë që mos t’i ketë mbetur merak që u largua nga mitrovicasit.
“Edhe përkundër që Trepça u shpall kampione e Kosovës, unë nuk jam penduar në asnjë moment që jam larguar nga ‘xehetarët’, përkundër kësaj unë e ndie vetën pjesë të suksesit të tyre, pasi për një stinor kam djersitur atë fanellë”. Më pas Emra thotë se po të dalin fitues i kupës, atëherë për të do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, pasi e ndien vetën pjesëmarrës në suksesin e dy klubeve brenda një viti.
“Ky është një motiv më i madh për mua, pasi do të jetë një vit shumë i suksesshëm duke djersitur fanellat e dy skuadrave fituese”. Në fund, Emra fton të gjithë adhuruesit prizrenas që ti bashkohen Lirisë në Prishtinë. “Është koha e fundit kur presim ardhjen e shikuesve në mënyrë të organizuar që të na përkrahin në ndeshjen finale, pasi një gjë e tillë ka munguar gjatë edicionit”.
Liria edicionin e përfundoi në pozitën e 8 me 44 pikë të tubuara, ndërkaq Vëllaznimi e ka siguruar mbetjen në elitë vetëm pas fitores ndaj Besianës në ndeshjen e barazhit./ botasot









