Komisari i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës, Nazmi Paçarada ka deklaruar se do të duhej që edhe në basketbollin e Kosovës në edicion e ri të aprovohen rregullat e reja.
“Ne vazhdimisht po kërkojmë që të pranohemi në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), dhe do të ishte mëkat po që se nuk do ti zbatonim të gjitha rregullat që merren nga ata”, tha fillimisht ai. Paçarada shtoi se këto rregulla nga edicioni i ri do të aplikohen në të gjitha vendet të cilat janë të pranuara në FIBA.
“Ato vende të cilat janë të pranuara në FIBA patjetër e kanë që t’i aplikojnë ato, andaj edhe ne nuk duhet të mbesim mbrapa”, nënvizoi ai. Rregullat e reja zyrtare të FIBA-së, të cilat i ka aprovuar edhe Bordi i FBK-së, nga edicioni i ardhshëm 2010/2011, parasheh që të gjitha sallat (fushat) do të duhet të i përshtaten këtyre rregullave më së largu deri me 1 tetor 2010.
“Ne i kemi dërguar të gjitha klubeve dhe palestrave sportive rregulloret e reja, në mënyrë që ata t’i vënë ato në parketet ku do të zhvillohet loja e basketbollit. Afati i fundit nëpër palestra është 10 tetori, kur edhe pritet të fillojnë garat për edicionin e ri”, sqaroi Paçarada. Ai më pas luti të gjithë akterët që të ndikojnë në vënien në praktikë, të propozicioneve të reja në të gjitha palestrat. “Do të ishte shumë e dëmshme në rast se palestrat nuk do t’i rregullonin këto gjëra, pa vendosjen e vijave të rregullave të reja, ato faktikisht nuk të mundësonin lojën e basketbollit”, tha komisari i garave, Paçarada.
Ai në vazhdim në hollësi sqaroi rregullat që pësuan ndryshime. Sipas rregullave të reja, vija e shënimeve për tri pikë nga 6.25 metra sa ishte deri më tani, do të zgjatet në 6.75 metra. Gjysmërrethi në të cilin nuk gjykohet faulli në sulm do të vijëzohet në fushën e lojës nën të dy koshat. Largësia nga vija e brendshme e gjysmërrethit deri të tek qendra e koshit në fushë do të jetë 1.25 metra. Fushat kufizuese (nën kosh) do të jenë të formës së drejtkëndëshit në hapësirën e fushës së lojës, e jo sikurse deri tani në formë të trapezit.
Futja e topit në lojë nga vijat anësore: Dy vija të vogla do të jenë të shënuara jashtë fushës së lojës në anën e kundërt të tavolinës zyrtare dhe hapësirave të bankave të lojtarëve, afër vijës së jashtme 8.325 metra nga pjesa e brendshme e vijës ballore. Në kohën e dy minutëshit të fundit të lojës dhe vazhdimeve, pas time-out-it, të ekipit i cili e ka të drejtën për rivënien e topit në fushën e vet fundore, rivënia e topit do të bëhet në anën e kundërt të tavolinës zyrtare, nga “vija e rivënies”, e jo sikur deri tani nga vazhdimi i vijës qendrore (mesi i fushës).
Sipas rregullës, tani 24 sekondëshi do të jetë si në vazhdim: Pasi që rivënia e topit në fushë duhet të bëhet nga fusha e prapme dhe skuadrat kanë të drejtën e kohës së re të sulmit, aparatura e 24 sekondëshit do të rikthehet në 24 sekonda. Nëse rivënia e topit bëhet nga fusha e përparme, dhe skuadra ka të drejtën e sulmit të ri, aparatura e matjes së kohës të sulmit do të jetë si në vijim: Nëse në aparaturë kanë mbetur 14 sekonda e më shumë, kur loja është ndalur, aparatura nuk do të rikthehet por në te do të mbetet koha e cila ka qenë.
Nëse në aparaturë do të mbetën 13 ose më pak sekonda, aparatura do të kthehet ne 14 sekonda për sulm.









