Home » Kampionati Gjerman » Nxehtë në Bundesligë

Nxehtë në Bundesligë

Edhe pse jemi në dimër dhe në mbarë kontinentin evropian mbizotërojnë temperatura të ulëta, në Bundesligë bën shumë ‘nxehtë’. Për herë të parë pas 20 vitesh, tri skuadrat e para në renditje kanë pikë të barabarta. Bayern Munich është lider falë golaverazhit më të mirë, por ngjitur me të janë Borussia Dortmund dhe Schalke. Kurse Borussia M’Gladbach është menjëherë pas tyre.

Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Schalke 04 kanë nga 37 pikë. Borussia M’Gladbach ka 36. Statistika që flasin vetë. Gara për titull në Bundesligë nuk mbahet mend kur ka qenë më interesante.

Treshja e përcjellësve kanë shfrytëzuar humbjen e Bayernit në ndeshjen e tij të parë të 2012-ës dhe tani vetëm një pikë i kanë katër ekipet e para në renditje. Kurse gjiganti bavarez është lider vetëm falë golaverazhit më të mirë. “Gjithmonë kemi thënë se nuk duhet të sigurohemi për asgjë”, tha drejtori sportiv i Bayernit, Christian Nerlinger. Gjendja aktuale në tabelë është shumë e rrallë, hera e fundit kur tri skuadra kishin pikë të barabarta në krye të tabelës pas fillimit të pjesës së dytë të sezonit ishte më 1991/92, plot 20 vite më parë. “Dortmund është rivali ynë më i madh”, shtoi Nerlinger, por theksoi se “M’Gladbach dhe Schalke janë po ashtu konkurrentë”.

Me të pajtohet edhe trajneri i Bayernit, Jupp Heynckess. “Rivali ynë më i madh është Borussia Dortmund, por nuk duhet nënçmuar as Schalken dhe Gladbachun”. Si zakonisht, Bayern është skuadër që deklaron ambiciet për titull, por rivalët janë të tërhequr sa i përket kësaj teme. Sulmuesi i Dortmundit, Kevin Groskreutz insistoi se fitorja e thellë 5-1 ndaj Hamburgut të dielën e kaluar ishte “mesazh për vetveten. Bayern mbetet favorit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe të shohim në fund se ku jemi”. Këtë skenar e përcjell edhe sulmuesi tjetër i Dortmundit, Robert Lewandowski, i cili insistoi se renditja nuk ka rëndësi.

“Ne nuk jemi duke shikuar tabelën. Jemi duke u përqendruar në çdo ndeshje që na pret”. Më pak se 40 kilometra nga perëndimi, po thuajse askush në Schalke nuk ishte i përgatitur të fliste për titull. Madje vetë përmendja e kampionatit është tabu, thotë trajneri Hubb Stevens. “Nuk kemi vazhdimësinë e nevojshme”, tha ai. Mbrojtësi Benedikt Howedes shtoi: “Ne nuk duhet të matemi me Bayernin”, kurse bashkëlojtari i tij Christian Fucks theksoi: “Ne rival i Bayernit? Nuk është diçka që kemi thënë ne”.

Gladbach: Nuk kemi siguruar ende mbijetesën

70 kilometra më larg drejt veriperëndimit, M’Gladbach zyrtarisht ende lufton për mbijetesë, edhe pse me fitoren në javën e kaluar kundër Bayernit është shumë pranë kuotës së 40 pikëve, që gjithmonë garanton qëndrimin në ligë. “Deri më tani ne duhet të kalojmë këtë objektiv, e nuk kemi vendosur ende synime tjera. Titulli do t’i takojë Dortmundit ose Bayernit”, tha drejtori sportiv, Max Eberl. Pavarësisht fitores ndaj Bayernit, M’Gladbach refuzon të pranojë se është konkurrent për titull. “Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Synimi ynë është të vazhdojmë të tubojmë pikë dhe të luftojmë për çdo pikë në çdo ndeshje”, insistoi trajneri Lucien Favre.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni