Hendbollistet e reja te kombëtares së Kosovës U-17 mjerisht nuk do të jenë pjesëmarrëse në garën ndërkombëtare “Partille Cup” që organizohet nga Federata e Hendbollit e Suedisë në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit Evropian (EHF) dhe Federatën e Hendbollit Botëror (IHF).
Ky aktivitet i rëndësishëm mbahet nga data 1 korrik e deri më 7 korrik. Edhe kësaj here pa kombëtaren e Kosovës U-17 në konkurrencën e femrave. Para më shumë se gjashtë muajve në adresë të Federatës së Hendbollit të Kosovës ka ardhur një ftesë nga organizatori i këtij evenimentit, Federata e Hendbollit të Suedisë, që Kosova për të reja deri në moshën 17-vjeçare të jetë në këtë garë që ka edhe karakterin si kampionat i hapur evropian.
Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, tha se nuk është asgjë tragjike, sepse kjo çështje është ditur më herët. Ai tha se organizatori (Federata e Hendbollit të Suedisë) nuk e ka ditur se FHK-ja nuk është e pranuar me drejta të plota në EHF dhe ka menduar se Kosova mund të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme.
“Megjithatë, organizatorët kanë thënë se mund të marrim pjesë në Suedi, por, në një garë tjetër që organizohet, në të cilën nuk kemi pranuar që të shkojmë”, tha Gjinovci. Po cilat janë arsyet që është refuzuar pjesëmarrje na një garë pak më të rëndësishme se ajo e “Partille Cup”? “Realisht nuk kemi tentuar të shkojmë në këtë garën tjetër për arsye se shpenzimet janë enorme. Të shkosh në Suedi duhet më së paku 8-10 mijë euro. Prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme që të shkojmë në Suedi”, ka thënë Gjinovci.
Federata e Pingpongut e Kosovës e vetmja nga sportet kolektive të Kosovës që është e pranuar me drejta të plota në ITTF, pas saj vjen edhe Federata e Hendbollit e Kosovës, por kjo është e pranuar me drejta të kufizuara në EHF. Gjinovci tha se pritet të ndodhë një ditë pranimi me drejta të plota dhe kombëtaret e Kosovës në çdo grup-moshë të jenë pjesëmarrëse në garat evropiane e botërore.
“Sigurisht se vitin e ardhshëm do të jemi pjesëmarrëse, besoj se deri atëherë çështja e pranimit me drejta ta plota do të ndodhë”, tha Gjinovci, Mirëpo, kreu i FHK-së është duke u përgatitur për turneun e radhës që do të mbahet në Vesprem, por kësaj here për meshkuj. “Në Vesprem padyshim se do të shkojmë si çdo vjet”, tha Gjinovci.










Ka qene e ditur edhe me heret qe U17 nuk do te shkoj ne Suedi per arsye te shumta.Edhe hendbollistet e Kosoves e kan paramenduar nje gje te till e cila madje i ka zhgenjyr jashtzakonisht shumm keto hendbolliste.Gjate kesaj kohe kam pasur edhe rastin te bisedoj me disa hendbolliste dhe disa prej tyre kan menduar qe te largohen nga ky sport sepse mendimi i tyre eshte qe askush nuk punon per to dhe askujt nuk i intereson se sa e madhe eshte deshira qe ato te marin pjes ne evenimente te tilla gje qe do te thot nese Fedarata e hendbollit te Kosoves vazhdon me hapa te till atehere nuk do te kete permirsime dhe edhe me von nuk do te jene te gatshme te marrin pjes ne gara evropiane.