Muhamet Rama, është njeri i rrallë që mund të shihet në botën e sportit. Ai në moshën 65 vjet e tre muaj vazhdon të bëjë kërdinë në atletikën për veteranë.
Rama në moshë të shtyrë, vazhdimisht shihet në çdo orë të mëngjesit duke vrapuar në ambientet piktoreske të Taukbahçes. Stërvit pa ndalë me kilometra të tërë dhe assesi nuk e pengon mosha 65 vjet e më tepër. Kampioni i gjashtëfishtë i Ballkanit, fituesi i maratonës 42 kilometra në vitin 2009 për veteranë në Mal të Zi, po ashtu edhe në Shkup të Maqedonisë e shumë gjysmëmaratona e maratona në vende të ndryshme.
Në tetë vjetet ë fundit është i pamposhtur në çdo garë ndërkombëtare për kategorinë e veteranëve. Ai edhe të dielën e dëshmoi veten se është i fuqishëm dhe shumë kush mbetët i habitur sesi është e mundur në moshë kaq të shtyrë të vrapojë 21 kilometra por edhe 42 kilometra.
“I kam 65 vjet e tre muaj, por do të vrapoj derisa të vdes. Qe tetë vjet merrem më këtë sport, por qysh nga atëherë e deri më sot e kam të njëjtin ritëm të formës. Do të vrapojë: O deri 70 vjet, o deri 80 vjet, derisa të vdes dhe të shkojë në atëbotë! Sporti më mban gjallë”, tha Rama.
Përderisa me atletikë e me sport jeton dhe e mban shpirtin gjallë, ai nga viti 1999 jeton pa kulm mbi kokë. Jeton me qira në Prishtinë me tetë fëmijët e tij, dy djem e gjashtë vajza. Një atlet që identifikohet atletika e Kosovës e shteti i Republikës së Kosovës, ëndërron një ditë të ketë të paktën një jetë mesatare dhe një kulm mbi kokë.
“Jetoj me qira dhe shpresoj se do të më bëhet një zgjedhje nga institucionet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Rama.
Atleti veteran që në fakt e meriton një pension si sportist i merituar. Janë të rrallë sportist që mund të vazhdojnë karrierën kaq gjatë e sidomos në moshën mbi 65.3. Në Kosovë njeriu pensionohet në moshën 65 – vjeçare, or Ramës kjo i duket absurde, por thotë do të vrapojë dhe s’ka pension sporti.
“Më ka thënë kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, se do të përpiqet të më dërgojë në maratonën e Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.
Ky atlet i rrallë, i veçantë, nuk ka harruar të falënderojë edhe kryetarin e Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani. “Kryetari i federatës, Sylejmani, vazhdimisht aq sa mundet më përkrah materialisht dhe më çon në garat e ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Rama. Atleti veteran prishtinas premton rezultate të reja e thyerje të rekordeve, por njëkohësisht edhe një kulm mbi kokë.
“Nuk kam të ardhura, nuk punoj askund, pa pagë, megjithatë shpresoj se edhe për mua do të bëhet mirë”, përfundoi Rama. /botasot









