Tetë parashikime, tetë herë i saktë. Oktapodi Paul, padyshim është fituesi më i madh i Kampionatit Botëror, pasi ai ka arritur saktësisht të prognozojë të gjitha takimet e Gjermanisë si dhe fituesin e takimit final ndërmjet Spanjës dhe Holandës.
Oktapodit Paul, të hënën i është dhënë një “kopje” e Kupës së Botës si shpërblim për tetë parashikimet e tij të sakta gjatë këtij Botërori. Qëkur Oktapodi Paul, u bë i famshëm me parashikimet e tij, shumë njerëz dëshirojnë ta blejnë atë.
Italianët thonë se Oktapodi Paul është kapur nga gjermanët në ujërat italiane, një biznesmen spanjoll po provon ta blejë Paulin me çmimin prej 30 mijë eurosh, ndërsa priftërinjtë holandezë nuk dëshirojnë të dëgjojnë për të. Në Spanjë, oktapodi Paul, është shndërruar në një ikonë shtetërore. Kryeministri spanjoll, Zapatero, është shprehur i brengosur për oktapodin Paul, duke shprehur gatishmërinë edhe për t’i ofruar mbrojtje atij. Por, zëdhënësja e akuariumit “Jeta në det”, Tanja Munzig, ku edhe gjendet oktapodi, ka mohuar zërat se Paul do të largohet nga akuariumi.
“Kemi pasur shumë kërkesa për oktapodin Paul, por ai do të mbetet këtu dhe do t’i kthehet punës së tij të vjetër – t’i argëtojë fëmijët”, ka thënë Munzig. Sipas saj, Paul, i ka të gjitha të drejtat e tij dhe nuk ka arsye të shkojë askund.
Edhe Daniel Fey, mbikëqyrës i akuariumit, ka thënë se Oktapodi Paul, i ka argëtuar të gjitha mediat botërore gjatë këtij Botërori.
“Paul duhet t’u thotë lamtumirë të gjithëve tani. Ai ka më shumë se dy vjet e gjysmë dhe kjo moshë është e shtyrë për një oktapod”, ka thënë Fey.
Ndërkohë, heroi i Spanjës, Andres Iniesta, që shënoi golin e fitores në finale ndaj Holandës, është shprehur shumë i gëzuar për titullin e fituar dhe për oktapodin Paul, pasi sipas tij, fitorja e Spanjës, i përmbushi edhe parashikimet e tij.
“Jam i gëzuar për triumfin tonë. Jam i gëzuar edhe për oktapodin Paul. Çka të them? Ne fituam, ndërsa oktapodi Paul do të jetë shumë i popullarizuar në Spanjë”, ka thënë Iniesta. /kohanet









