Home » Volejboll » Nganjëherë verbohen sytë

Nganjëherë verbohen sytë

Më në fund do të zhvillohet ndeshje e parë e finales së play-offit në Superligën e Kosovës në volejboll (femrat) në mes Universitetit të Prishtinës dhe Kastriotit nga Ferizaj.

Kryetrajneri i Kastriotit tha se në njëfarë mënyre iu ka dhënë “ultimatum” FVK-së se nëse deri të hënën nuk caktohet zhvillimi i ndeshjes së parë finale, ai do të tërhiqet nga garat e play-offit.

“Ultimatum” ky që ka dhënë rezultat sipas Ibrahimit. “Nganjëherë edhe verbohen sytë për të arritur suksese. Por, nuk duhet të vrapojmë pas rezultateve, por në të mirën e volejbollit. Më rëndësi është se ndeshja do të zhvillohet sipas propozicioneve të garave në palestër dhe jo në sallë të FShKF-së, aty ku nuk ka kushte për lojë.

Nuk e besoj se do të ketë lojë të mirë pas gjithë këtyre telasheve që kemi pasur, pasi ka rënë morali për lojë edhe te Kastrioti edhe të Universiteti. Më rëndësi është që zhvillohet finalja dhe kampioni përcaktohet në fushë dhe jo në tavolinë.

Besoj se volejbollistet e mija do të japin maksimumin dhe le të fitojë ajo skuadër që e meriton”, tha Ibrahimi. Ballafaqimi në mes Universitetit dhe Kastriotit do të zhvillohet të martën, me fillim në orën 16.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Kryetrajneri i Universitetit, Bahri Gjinovci, tha se për hir të volejbollit ka kërkuar më këmbëngulje që të zhvillojnë ndeshjen në fushë sepse me rregullore është dashur të fitojë në tavolinë zyrtare takimin e pa takimin e parë.

“Të shtunën ka qenë e paraparë ndeshje të zhvillohet, por kryetrajneri i Kastriotit, Abedin Ibrahimi, nuk ka pranuar të luajë në sallën e FShKS-të. Po të shtunën e kemi lutur që të shkojmë në Qendrën e Rinisë dhe Sportit të Prishtinës dhe ta zhvillojmë ndeshjen.

Edhe aty s’ka pranuar, kushedi për çfarë arsye. E kemi thirrur në telefon dhe kemi kërkuar të luajmë në palestrën e sportit në Ferizaj, ku vepron skuadra e tij, as aty s’ka pranuar. Pëlqimi ka qenë nga kryesia, nga volejbollistet që ndeshjen ta luajmë qoftë edhe në Ferizaj, vetëm e vetëm ta fitojmë titullin në fushë dhe jo në tavolinë”, tha Gjinovci.

Kryetrajneri “universitarë” është i bindur se të dy ndeshjet do t’i fitojë sepse ka një fond të shkëlqyeshëm të volejbollisteve. “Kryesia ka investuar shumë dhe kemi kushtet më të mira. Kemi volejbolliste profesioniste dhe mendoj që të martën do të shënojmë fitore pa ndonjë problem”, tha Gjinovci.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: , , ,

Komentoni