Ka kohë që zhvillohet zhurmë në sportin e volejbollit. Disa e akuzuan numrin një të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Musa Selimin për keqpërdorim të mjeteve financiare.
Madje i shtruan pyetje ku mbetën 44 mijë euro? Zhurma në volejboll në fakt ka nisur nga 12 marsi i këtij vitit e këndej dhe të mërkurën pritet të zbardhen të gjitha ato thashethemet që fliten në opinionin sportiv. Shumë herë kjo zhurmë është zhvilluar edhe nën-hije, por herë pas herë edhe me tone të ashpra. Kryetari i FVK-së, Musa Selimi, pa kurrfarë frike pret kuvendin e punës së FVK-së.
Ai është krenar që do të mbahet një kuvend i punës së federatës të mërkurën dhe sipas tij, ky kuvend është i nevojshëm për të diskutuar për shumë çështje si për rrjedhën e garave po ashtu edhe për ndërkombëtarizim. Selimi ka thënë se është i gatshëm të përballet me cilindo përfaqësues sepse është i pastër si loti. Selimi as që i trembet qerpiku i syrit, pasi gjithnjë sipas tij, i ka të dokumentuara të gjitha në raport me fakte dhe shifra. Kuvendi i FVK-së mbahet të mërkurën në shtëpinë e sportit në Prishtinë dhe fillon në orën 16.00.
“Do të jetë një kuvend i rregullt pune. Projektin e kemi mbyllur dhe e kemi të dokumentuar me shifra. Ka qenë një gabim teknik edhe atëkohë sepse s’ka pas diçka të keqe. Çdo gjë është në rregullt. Kuvendi është dashur me u mbajt me herët, mirëpo për shkak të ardhjes së ftesës Federatës së Volejbollit të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shkojmë me një skuadër në këtë shtet, e pamë të arsyeshme të shtymë gjithnjë në bashkëpunim korrekt me Departamentin e Sportit të Kosovës. Në këtë kuvend do të diskutohet për rrjedhën e garave në kampionat, por edhe për shumë çështje të tjera në interes të volejbollit. Thjeshtë do të jetë kuvend pune dhe padyshim se çdo gjë do të jetë në rregull”, tha Selimi.
Në muajin mars përkatësisht me 12 mars Musa Selimi akuzohej nga Abedin Ibrahimi, përfaqësues i KV Kastriotit se janë zhdukur 44 mijë euro. Ibrahimi mezi pret ditën e mërkurë që të shoh raportin financiar. Kuvendarët presin që Musa Selimi të jep faktet centi për centi për projektin e vitit 2008.
E gjitha ajo piskamë që ndodhi në kuvendin e fundit me akuza dhe kundërakuza dhe etiketime të ndryshme të ndërsjella, pritet që të mërkurën të sqarohen gjërat me fakte. Burimet jozyrtare bënë të ditur se në kuvendin e punës nga disa kuvendarë do të kërkohet edhe shkarkimi i Musa Selimit dhe komplet bordit të FVK-së. /botasot









