Home » Sporte tjera » Mjetet financiare problem në vete

Mjetet financiare problem në vete

Rrethi çiklistik i Kosovës është në prag, ndërsa zyrtarët e Federatës së Çiklizmit të Kosovës i bëjnë përgatitjet e fundit për këtë aktivitet.

Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, tha se është caktuar data mbajtjes së aktivitetit më të rëndësishëm të vitit, “Rrethi i Kosovës” në çiklizëm.

Në fakt, Nuha tha se është i shqetësuar, sepse ende nuk i ka siguruar mjetet financiare për këtë aktivitet. Edicionin e kaluar gara e ‘Rrethit të Kosovës’ ka kushtuar shtrenjtë, por sivjet aludohet se do të ketë shpenzime edhe më të mëdha. “Vitin e kaluar kemi shpenzuar sa e di 12-13 mijë euro. Këtë vit do të jenë shpenzime edhe më të mëdha, sepse edhe numri i pjesëmarrësve do të jetë më i madh. Kemi kërkuar ndihmën e Departamentit të Sportit të Kosovës, por edhe të sponsorëve që të na ndihmojnë për këtë aktivitet.

DSK-ja është shprehur e gatshme, por nga sponsorët ende nuk kemi mundur të gjejmë. Shpresojmë se deri në fillim të gushtit do të gjejmë sponsorin gjeneral”, tha Nuha.

“Nga data 12-15 gusht do të zhvillohet ‘Rrethi i Kosovës”, në të cilën do të marrin pjesë shumë klube nga shtetet e rajonit, por edhe nga Gjermania dhe Italia. Do të jetë garë shumë e rëndësishme dhe mendoj se edhe më e organizuara pas luftës. Ka ditë që jemi duke i zhvilluar përgatitjet që ky aktivitet të shkojë si është më së miri. Përveç çiklistëve të klubeve nga Shqipëria, Gjermania, Italia, Novi Pazari, pritet të jetë edhe ndonjë zyrtarë nga federatat e këtyre shteteve”, tha Nuha.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Flurim Shala, se shpejti do të bëjë edhe shpalljen e emërores së çiklistëve të Kosovës për ‘Rrethin e Kosovës’. Ai pret të mbahet edhe gara e radhës në Gjakovë dhe të përcaktohet për çiklistët më të mirë. Sipas zyrës së Federatës së Çiklizmit të Kosovës, do të jetë punë e zorshme edhe për përzgjedhësin Shala që të bëjë përzgjedhjen e më të mirëve, për faktin se shumë çiklistë janë të një nivelit dhe që po dëshmojnë rezultate të mira.

Çiklizmi në Kosovë me hap shumë të ngadalshëm, por gradualisht po e rrit reputacionin edhe ndër adhuruesit. “Kemi adhurues shumë pak, por kohët e fundit ka zënë të shtohet numri, sepse po e shohin se çiklizmi është një sport atraktiv”, nënvizoi Nuha. Çiklizmi është duke bërë edhe përpjekjet e fundit që të jetë sa më shpejt në arenën ndërkombëtare.

“’Rrethi i Kosovës’ do të jetë edhe test i mirë për ne që të dëshmojnë se mundem dhe dimë të organizojmë aktivitete të mëdha dhe e meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha Nuha.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni