Njëri prej kick-boksierëve më të mirë të Kosovës, Tahir Menxhiqi, i cili jeton dhe vepron në Holandë, do të jetë pjesëmarrës në garën e rëndësishme botërore “WorldMax 2010” në kick-box që mbahet në Tokio të Japonisë.
Ky eveniment mbahet me 5 korrik dhe Menxhiqi për herë të dytë merr pjesë në këtë garë. Menxhiqi me 5 korrik përballet me japonezin, Yukihiro Komiya. Tahir Menxhiqi në kategorinë 70 kg që garon në disiplinën K-1, shpreson se do të shënojë fitore. Menxhiqi është optimist se do të ia dalë të shënojë sukses të mirë në Tokio të Japonisë, megjithëse do të jetë konkurrencë shumë e fortë.
Menxhiqi vitin e kaluar pati marrë pjesë në këtë eveniment, por nuk pati sukses, garë e cila ishte mbajtur në Korenë Jugore. Kryetari i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, Fatmir Makolli, tha se pret Menxhiqi të prezantojë Kosovën sa më mirë.
“Është garë shumë e rëndësishme që mbahet në Tokio, por besojmë se Menxhiqi do të korrë rezultat jashtëzakonisht të mirë. Ai është mjaft mirë i përgatitur dhe është i vetmi sportist në Kosovë që merr pjesë në disiplinën e K-1 në profesionalizëm”, tha ndër të tjera Makolli.
Edhe këshilltari për sport i ministrit, Lutfi Haziri, Muharrem Sahiti, tha se është më rëndësi që një garues nga Kosova do të jetë pjesëmarrës në një garë të nivelit të lartë në Japoni. Sahiti beson se Menxhiqi nuk do të kthehet pa suksese. Ndërkaq, Afërditë Fazlija, zv.drejtore e Departamentit të Sportit të Kosovës, e vlerësoj lartë punën që e bënë Federata e Kick-Box-it të Kosovës. Sipas saj, rezultatet e dhjetëvjetëshit të fundit të këtij sporti janë për lakmi dhe tash po shënojnë edhe në profesionalizëm.
Përveç meçit të Menxhiqit, Makolli ka folur edhe për sukseset që kanë arritur në fundjavën që shkoi në kampionatin e hapur gjerman. Makolli tha se dy medalje të fituara në Gjermani pra një të artë dhe një të argjendtë janë fryt i punës. Medalje të artë fitoi Ilir Menxhiqi në kategorinë -60 kg në disiplinën K-1 rules dhe me të argjendtë ishte kthyer Myrvete Uka në kategorinë – 65 kg në disiplinën K-1 rules.
“Në Gjermani ka qenë garë shumë e fortë dhe morën pjesë mbi një mijë garues nga shtetet e ndryshme, ndërsa Kosova me tetë garues është prezantuar mjaft mirë, si rezultat i kësaj sollëm dy medalje”, ka thënë Makolli. /botasot









