Home » Kampionati Kosovar » Më të dobësuar se në kampionatin e kaluar

Më të dobësuar se në kampionatin e kaluar

Ajet Shosholli ka vazhduar kontratën edhe për një vjet në postin e kryetrajnerit me klubin e futbollit Vëllaznimi të Gjakovës.

Ai ka rënë dakord në të gjitha aspektet që të vazhdojë punën me klubin gjakovar dhe beson se do të ndërtojë lojë kompakte për edicionin e ri. Duhet theksuar se Shosholli në pranverë pati marrë skuadrën e Vëllaznimit, të cilën e gjeti në pozitën e fundit të tabelës. Ai me punën e tij të palodhshme arriti që të shpëtoi nga rënie prej lige.

“Vazhdova kontratën për një vit me KF Vëllaznimin. Kam filluar punën në përgatitje me futbollistë. Përgatitjet kanë filluar që dy tri ditë, ndërsa unë nga dita e martë kam nisur edhe punën me skuadër. Në përgatitje kemi 18-19 futbollistë, por kemi edhe shumë mungesa. Disa nga futbollistë janë larguar, disa janë në prova. Kështu që, në kampionatin e ri do të jemi shumë më të dobësuar sesa në kampionatin e kaluar. Nga klubi është larguar portieri Kushtrim Mushica, i cili ka kaluar në KF Renova nga Xhepçishti, Alban Dylazeka ka shkuar në Liri të Prizrenit, Robert Gjeraj në Ballkan, Erdin Hashani gjendet në prova në Shqipëri, Ertan Hasan nuk ka kontratë dhe nuk dihet ende çështja e tij sa a do të jetë pjesë e jona apo jo. Hashani nëse nuk i kalon provat në Shqipëri, sipas të gjitha gjasave, do të kthehet në Vëllaznim”, tha Shosholli.

Përforcimet janë të domosdoshme për klubin gjakovar, për shkak se fondi i tashëm është i varfër. “Kemi nevojë për përforcime në të gjitha repartet. Për dy-tri ditë mund të kemi përforcimet e para. Synimi i kryesisë së Vëllaznimit është që të sjellë futbollistë të dëshmuar dhe të bëjmë skuadrën sa më të fortë. Aktualisht jemi dukshëm të dobësuar, por shpresat janë të mëdha që të përforcohemi”, theksoi Shosholli. Vëllaznimi ka filluar përgatitjet me vonesë për faktin se ka probleme financiare.

“Përgatitjet jemi të vetëdijshëm se i kemi filluar me vonesë. Të gjithë së bashku do të bëjmë përpjekje që të përgatitemi sa më mirë. Përveç që do të stërvitemi në stadiumin, do t’i shfrytëzojmë edhe ambientet e Çabratit dhe të Drinit. Në program kemi edhe katër ndeshje kontrolluese me qëllim të gjetjes së përbërjes më të mirë të mundshme për kampionatin e ri. Fondi i tashëm është i varfër dhe mendoj se jemi shumë më të dobësuar se një kampionat më parë, megjithatë shpresoj se do të përforcohemi me disa futbollistë”, tha Shosholli.

Skuadra e Vëllaznimi është njëra prej skuadrave më të shikuara në kampionatin e kaluar. Adhuruesit e kësaj skuadre, “Kuqezinjtë e Jakovës” shpresojnë se në kampionatin e ri do të shohin një Vëllaznim më të fortë, në luftë drejt titullit të kampionit dhe jo për mbijetesë në elitën e futbollit.

Juniku ka kontratë me Vëllaznimin

Për futbollistin Rilind Juniku është përfolur se ka kaluar në radhët e Flamurtarit të Prishtinës, por i cili nuk do të lejohet që të bëjë një gjë të tillë nga klubi gjakovar. Arsye është se Juniku ka ende kontratë me klubin dhe është i nevojshëm edhe për Vëllaznimin. “Juniku do të mbetet pjesë e Vëllaznimit. Ai nuk mund të largohet nga skuadra për arsye se ka kontratë me klubin”, nënvizoi Shosholli.

B O X 1

Pritet rikthimi i Hashanit

Shpresat e gjakovarëve janë se mund të kthehet futbollisti Erdin Hashani, i cili tashmë e sa ditë gjendet në prova në një klub të Shqipërisë.

B O X 2

Nga klubi u larguan:

Portieri Kushtrim Mushica (KF Renova), Alban Dylazeka (Liria), Robert Gjeraj (Ballkani).

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni