Home » Sporte Motorike » Mbreti në dy rrota

Mbreti në dy rrota

Alberto Kontador këtë fundjavë për herë të tretë në karrierë e për herë të dytë me radhë e fitoi garën çiklistike rreth Francës të njohur si tur dë Frans, që është gara më e madhe dhe më ne njohur e çiklizmit në botë. Kjo fitore Kontadorin e konfirmon si çiklistin më të mirë të gjeneratës së tij dhe si një prej çiklistëve më të mirë të të gjitha kohëve. Aktualisht ai është një nga shumë super-yjet e sportit që vinë nga Spanja dhe një prej atyre sportistëve që e kanë potencial të dominojnë në sportin e tyre përkatës edhe për shumë vite.

Ardhja në skenë

Alberto Kontdor Velasko është i lindur më 1982 në Madrid. Si fëmijë ai kishte ushtruar futboll dhe atletikë, por në moshën 15 vjeçare, duke e parë vëllaun e tij të madh kishte filluar të ushtrojë çiklizëm dhe shumë shpejt talenti i tij i madh për këtë sport i ra në sy klubeve lokale. Ai në moshën 16 vjeçare braktisi shkollën dhe mori kontratën e tij të parë profesionale si çiklist dhe që nga ajo kohë filloi të garojë intensivisht në Spanjë. Për pak vjet ai u bë çiklisti më i mirë i ri në Spanjë, që nuk gjë e vogël meqë ky shtet është fuqi botërore në çiklizëm. Në moshën 21 vjeçare, Kontador u bë pjesë e ekipit ONCE, që në atë kohë ishte ndër pesë ekipet më të mira në botë dhe për katër sezone të kaluara në këtë ekip mblodhi përvojë shumë të vlefshme. Më 2006, ai u implikua në një skandal dopingu më vonë të njohur si “Operacioni Puerto”. Në këtë aferë të përfshirë ishin shumë çiklistë spanjoll dhe sportistë të tjerë të njohur të cilët kanë shfrytëzuar shërbimet e mjekut Eufemiano Fuentes. Fuentes u akuzua se i ka dopinguar sportistët në mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar, kurse disa prej sportistëve përfshirë Kontadorin dhe çiklistin tjetër të njohur spanjoll Hozeba Beloki shpëtuan pa akuza dhe suspendime nga ky skandal.

Kontador në fund të viti 2006 nuk kishte ekip fare dhe janar të 2007-ës nënshkroi për ekipin Diskaveri Çenel, që ishte në kërkim të një lideri të ri pa tërheqjes së Lens Amstrongut më 2005. Kontador shumë shpejt u kthye në formë të mirë dhe në Tur dë Fransin e vitit 2007 ishte një prej favoritëve. Në fakt, kjo garë do të duhej të ishte gara ku bëhet “ndërrimi i gjeneratës” meqë pas dominimit të Lens Amstrongut pritej që në skenë të dilnin disa çiklistë të rinj dhe të luftojnë për fitore në këtë garë dhe për dominim në çiklizëm në vitet e ardhshme. Më 2007 dukej se Mihael Rasmusen do ta fitojë garën meqë ishte komod në pozitën e parë, para Alberto Kontadorit. Mirëpo, pas përfundimit të etapës së 17-të, Rasmusen u përjashtua nga gara për shkak se kishte gënjyer ekipin e tij rreth fazës përgatitore të zhvilluar në fund të vitit dhe kjo e la Kontadorin në vend të parë, tri etapa para fundit. Spanjolli nuk e lëshoi këtë rast dhe e fitoi Turin për herë të parë në karrierë, duke u lansuar kështu në skenën botërore të çiklizmit.

Konfirmimi si më i miri

Më 2008 Kontador nënshkroi për ekipin Astana dhe pak pas nënshkrimit të kontratës u bë e ditur se Astana nuk do të mund të garojë në Tur dë Frans, për shkak të një skandali të dopingut ku ekipi ishte përfshirë më herët. Kjo ia pamundësoi Kontadorit ta mbrojë titullin e tij të Tur dë Frans, por i mundësoi atij ti tregojë aftësitë e veta në gara tjera, gjë që Kontador e bëri. Brenda këtij viti ai fitoi në Xhiro d’Italia dhe në La Vuelta, dy garat tjera të të mëdha të çiklizmit dhe u bë vetëm çiklisti i pestë në histori që i fiton tri garat e mëdha përgjatë karrierës së tij. Para tij këtë sukses e kishin arritur edhe legjendat e çiklizmit Zhak Anketil, Feliçe Xhimondi, Bernar Ino dhe Edi Merks, kurse Kontador ishte më i riu në moshë kur e kishte kompletuat “het trikun magjik” të trofeve në çiklizëm. Kështu, në përfundim të vitit 2008 shumë njerëz e kishin besimin se Kontador është çiklisti më i mirë në botë, por ai nuk kishte garuar në Tur dë Frans atë vit dhe kjo gjë e bënte të vështirë të thuhej nëse vërtetë Kontador është më i miri. Mirëpo, të gjithë kritikëve të tij ai iu përgjigj më 2009. Këtë vit në ekipi Astana nënshkroi edhe me Lens Amstrongun duke i pasur dy super-yje në ekip dhe duke e fokusuar kah ky vëmendjen e tërë opinionit çiklistik dhe jo vetëm. Mirëpo, vlerën e tij të vërtetë Kontador e tregoi kur e mposhti Amstrongun në terrenin e tij të preferuar, në masivin e Alpeve dhe duke u konfirmuar si kampion i kësaj gare për herë të dytë në karrierë. Prania e Amstrongut në ekip dhe qëndrimi jo fort korrekt i pronarëve kazak të ekipit Astana, kishin bërë që Kontador të kërkonte shkëputje të kontratës me ta, mirëpo, ekipi nuk e lëshoi atë duke e detyruar ta shërbejë kontratën deri në fund. Kështu edhe në Tur dë Fransin e këtij viti Kontador garoi si çiklist i Astanës. Kësaj radhe, për shkak të konfiguracionit specifik të garës, atij iu nevojit të punojë shumë në taktikë, mirëpo, fuqinë e tij ai sërish e tregoi në ngjitjet malore dhe atë në etapat e fundit të garës duke e fituar garën para Andi Shlekut, rivalit të tij të madh nga Luksemburgu.

Vazhdim i dominimit apo…

Kontador vitin e ardhshëm me siguri se nuk do të jetë pjesë e ekipit Astana. Mirëpo, ai tashmë nuk e ka problem sepse mund t’i diktojë kushte cilitdo ekip në botë dhe ka treguar se mund ta fitojë cilëndo garë të madhe. Ndërkohë në skenë po del një gjeneratë e çiklistëve të rinj, ku dallohet Andi Shlek dhe Kontador nuk pritet të ketë punë më të vështirë në sezonet e ardhshme. Sidoqoftë, ai deri më tani ka treguar se nuk i frikohet sfidave dhe nuk e ka ndër mend të ikë nga to.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni