Home » Xhudo » Majlinda: Edhe në Moskë do të bëj mrekullinë!

Majlinda: Edhe në Moskë do të bëj mrekullinë!

Sporti i Republikës së Kosovës deshëm ose nuk deshëm në garat ndërkombëtare identifikohet me emrin e Majlinda Kelmendit.

18-vjeçarja nga Peja kurrë nuk është më afër se të jetë në Lojërat Olimpike të vitit 2012 që do të zhvillohen në Londër të Anglisë. Për xhudisen Majlinda Kelmendi nga shteti më i ri në botë, që garon në disiplinën 52 kg, është shkruar gjerë e gjatë në uebsajtin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, po ashtu edhe nga mediat e ndryshme botërore si Euro News e BBC.

Xhudistja që po trand botën e xhudos, një emër që po bëhet bombë e vërtetë në arenën botërore.

“Majlinda ka nisur me sukses të madh ciklin olimpik dhe ka fituar 200 pikët e saj të para në turneun më të fortë në botë, ‘Grand Prix’. Realisht si përzgjedhës i kombëtares së Kosovës kam shpresuar se Majlinda do të jetë në mesin e tetë xhudisteve më të mira të botës, por se do të fitojë turneun e Tunizisë, kjo ka qenë e pabesueshme. Majlinda dëshmoi superioritet, duke mposhtur një nga një rivalet e saj dhe së fundi në finale edhe xhudisten numër dy në botë, spanjollen Ana Carrascosës. E gjithë kjo punë, të gjitha këto investime po shpaguhen. Njëherësh falënderoj Ministrinë e Sportit, përkatësisht Departamentin e Sportit të Kosovës për mbështetje të vazhdueshme që po i japin Majlindës. Shpresoj se në të ardhmen do t’i sigurohet një bursë Majlindës sikurse e kanë shtetet e tjera për xhudistet e veta 500 deri 1000 euro. Po ashtu edhe një pagë, sepse mendoj që e meriton dhe nuk është e tepër të themi se Majlinda është flamurtar i sportit të shtetit të Kosovës”, tha Driton Kuka.

Xhudistja që bëri mrekullinë dhe u kthye me medalje të artë, Majlinda, në konferencë me gazetarë mes të tjera tha:

“Ka qenë një sukses i madh imi. Kisha shpresuar të paktën të jem në mesin e tetë më të mirëve, por nuk kam pritur që të shpallem kampione e turneut. Shpresoj se do të tuboj sa më shumë pikë dhe të jem në Lojërat Olimpike, që është ëndërr e çdo sportistit”, tha Majlinda, për të cilën kanë shkruar e komentuar edhe shumë mediume botërore, si Euro News e BBC.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se Majlinda ka bërë një sukses historik për shtetin e Kosovës.

“Rezultatet e Majlindës janë historike dhe mburrje për të gjithë ne. Majlinda meriton jo vetëm t’i sigurohet një bursë por edhe më shumë se shpërblime. Duhet të shikojmë të gjejmë edhe donatorë që ajo në të ardhmen të shpërblehet për çdo rezultat që shënon në garat ndërkombëtare. Këtë ia ka borxh shoqëria e Kosovës”, tha Hasani.

Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj, ka thënë se këto suksese të kësaj garueseje janë për lakmi. “Të gjitha duhet të rregullohen në mënyrë ligjore dhe vazhdimisht të jepen shpërblime për sukseset në sfidat ndërkombëtare”, tha Alaj.

Driton Kuka tha se më 3-4 korrik Majlindën e pret edhe gara tjetër shumë e rëndësishme “Grand Slam” në Moskë. Sipas tij, “Grand Prix’ e ‘Grand Slam’ janë dy garat më të forta në të cilat fitohen më së shumti pikë olimpike.

“Edhe në Moskë do të bëj mrekullinë dhe do të dëshmoj vlerat e mia përballë çdo rivalit”, tha Majlinda. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni