Futbollistët e Lirisë nga Prizreni dhe Vëllaznimit nga Gjakova do të takohen në finalen e kupës së Republikës së Kosovës në futboll. Liria eliminoi Besën e Pejës, ndërsa skuadra e Vëllaznimit Gjilanin.
Në ndeshjen e kthimit Liria arriti të shënoi fitore me rezultat 2:1 dhe barazimi i ndeshjes së parë 3:3 në Pejë i mundësoi shkuarjen në finale. Skuadra pejane u orvat me të gjitha forcat që të nxjerr fitore, por ka qenë e pamundur përballë Lirisë shumë të fortë.
Në pjesën e parë të takimit, prizrenasit udhëhoqën me rezultat 1:0 duke iu falënderuar golit të shënuar në minutën e 32-të nga futbollisti Astrit Tafili (32’).
Pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultat 1:0 në favor të Lirisë. Në pjesën e dytë të takimit, pritej se Besa do të kthej rezultatin, por hasi në lojë shumë të mirë të prizrenasve. Futbollisti Fatih Karahoda në minutën e 77-të përmbysi edhe shpresat e fundit të pejanëve me golin që shënoi për epërsinë 2:0.
Pa kaluan një minutë lojë, pejanët ngushtojnë epërsinë në 2:1 nëpërmjet futbollistit Fitim Kasapit. Duhet theksuar se në këtë ndeshje të dyja ekipet e humbën nga një penallti, Krusha tek vendësit dhe Kasapi tek mysafirët. Prizrenasit shkojnë në finale, ndërsa pejanët eliminohen nga garat e kupës.
Në ndeshjen tjetër, skuadra e Vëllaznimit para shikuesve të vet në Gjakovë shënoi fitore me rezultat 2:1 ndaj Gjilanit. Gjakovarët kësaj ndeshje iu qasën me një komoditet paksa më të madh, duke e pasur parasysh edhe fitoren në ndeshjen e parë me rezultat 3:2 në Gjilan. Skuadra gjakovare qysh në minutën e dhjetë ka realizuar epërsinë 1:0 me golin e futbollistit Venhar Sermaxhaj.
Goli i hershëm pothuajse edhe preu këmbët gjilanasve që të kthejnë rezultatin në vazhdim të lojës. Mark Milicaj në minutën e 47-të ka shtuar epërsinë në 2:0 dhe shuar të gjitha gjasat për finalen e kupës.
Mysafirët shënuan gol në minutën e 90-të nga futbollisti Chijioke (i cili më parë huqi një penallti. Gjakovarët është hera e dytë pas luftës që futen në finalen e kupës së Kosovës. Me 6 qershor, në stadiumin e qytetit në Prishtinë, do të zhvillohet finalja e kupës në mes Lirisë dhe Vëllaznimit.
Rezultatet
Gjysmëfinalja
Liria-Besa 2:1 (3:3)
Vëllaznimi-Gjilani 2:1 (3:2)
Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para /botasot









