Home » Kampionati Shqiptar » Laçi befason për të mirë, Tirana humb në shtëpi

Laçi befason për të mirë, Tirana humb në shtëpi

U luajtën edhe katër ndeshjet, në kuadër të javës së 25-të të Superligës së Shqipërisë në futboll, të cilat prodhuan rezultate surprizë në dukje, por ndoshta jo aq të tilla, në realitetin e “nëndheshëm” të këtij kampionati, faza e tretë e të cilit, sikurse është evidentuar, ka marrë emrin “Karnavalet e Korçës”.

Megjithatë, nga ajo që ndodhën në ndeshjet e kësaj jave, mund të themi se “zhanri” i garës, së shndërruar në estradë tek-tuk, tashmë i përket edhe “parodisë”, edhe “jares”.

Ndoshta nuk ka ndonjë lidhje shkak-pasojë në mes dy ndeshjeve të skuadrave të vendit të dytë dhe të tretë, të Besës dhe të Tiranës, të cilat humbën këtë javë me rivalë që kanë nevojë jetike për pikë (Flamurtarin dhe Vllazninë), por përgjigjia “flakë për flakë” e golave vlonjatë në Kavajë, me gola shkodranë në kryeqytet, lë të kuptohet për dorën e një “regjisori” të mirë. Ndaj, jo më kot, edhe titullin e këtij shkrimi, mbi ndeshjet e javës së 25-të të Superligës, e kemi vënë: “Parodisë” vlonjate i përgjigjet “jarja” shkodrane.

Natyrisht, pa anashkaluar fitoren 2-0 të kurbinasve në shtëpi, ndaj Apolonisë së Fierit, çka i ka dhënë mundësinë Laçit të kapë zonën evropiane tashmë. Të paktën për një javë, pasi ka parakaluar Tiranën, në vendin e tretë. Një Laç mjaft rezultativ, i suksesshëm dhe model, deri më tani, sa i takon lojës pa asnjë kompromis me askënd.

Gjë që është shpaguar edhe me vendin e tretë në renditje, i cili, nëse do të ruhet deri në fund të garës, do të përbënte një eveniment historik për skuadrën kurbinase. Pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Gjithçka nisi me sfidën e Peqinit, mes Shkumbinit dhe Teutës, ku vendasit kanë arritur të fitojnë minimalisht, 1:0, falë golit me penallti të Bakiut.

Një ndeshje e luftuar fort nga të dyja palët, ku peqinasit dhe durrsakët treguan shenja lodhjeje, për shkak se kishin konsumuar në mesjavë edhe gjysmëfinalet e para të Kupës së Shqipërisë. Sidoqoftë, nisur edhe nga faktori “fushë”, nga përkrahja e tifozëve të zjarrtë peqinas, Shkumbini ka bërë diferencën, në rezultat.

Kësisoj, merr edhe tri pikë të tjera të vlefshme, duke mbetur në mesin e tabelës së klasifikimit, ndërsa Teuta rrezikon tashmë, sepse ka vetëm një pikë më shumë se disa skuadra të tjera, që mbyllin renditjen. Besa ka pritur Flamurtarin, i cili kishte nevojë jetike për pikë.

Të cilat i ka marrë të plota Flamurtari, falë një dygolëshi të Memellit, por nuk ka ndeshur në rezistencën e një skuadre që deri dje luftonte për titullin kampion, apo që mban vendin e dytë në klasifikim. Mesa duket, llogaritë e Besës në këtë ndeshje kanë qenë të sinkronizuara me ato të Daniel Xhafës, në luftën për kryegolashënues, kështu që vlonjati verdhezi nuk ka munguar të firmosë një gol edhe ndaj vendlindjes së vet.

E njëjta gjë është materializuar edhe në sfidën e kryeqytetit, mes Tiranës dhe Vllaznisë. Ku rezultati ka qenë i njëjtë, 2:1 për miqtë nga Shkodra, të cilët i janë kundërpërgjigjur “flakë për flakë” fitores vlonjate, duke ruajtur distancën me ta. Dy penallti të dhëna nga kryesori Sokol Cekaj, të kthyera në gol nga Muzaka për Tiranën dhe pastaj nga Rajovic për Vllazninë, kanë fiksuar barazimin 1:1 në pjesën e parë.

Në të dytën, loja ka qenë e hapur, por jo dhe aq me rrezikshmëri para portave respektive. Megjithatë, një autogol i Abrahamit në limitin e kohës së rregullt, shënuar në portën e tij, ka mjaftuar që kuqeblutë të hedhin të njëjtin hap me Flamurtarin, duke marrë 3 pikë të arta në një transfertë tejet të vështirë, në letër.

Në Laç, skuadra vendase ka kaluar pa vështirësi Apoloninë e Fierit, në portën e së cilës ka shënuar dy herë. Në fillim me anë të kapitenit Brahja, pastaj me anë të Kastratit, duke siguruar kështu edhe vendin e tretë në renditje, duke spostuar Tiranën kampione në fuqi, një vend më poshtë, në të katërtin.

(Marrë nga Sporti Shqiptar)

Rezultatet

Dinamo-Kastrioti 1:1

Shkumbini-Teuta 1:0

Besa-Flamurtari 1:2

Tirana-Vllaznia 1:2

Laçi-Apolonia 2:0

Tabela

1. Dinamo 25 18 4 3 44:23 58

2. Besa 25 11 7 7 25:19 40

3. Laçi 25 10 7 8 27:23 37

4. Shkumbini 25 10 5 10 25:23 35

5. Tirana 25 10 5 10 25:23 35

6. Vllaznia 25 9 6 10 26:30 33

7. Apolonia 25 8 7 10 30:31 31

8. Teuta 25 9 4 12 22:31 31

9. Kastrioti 25 9 6 10 24:26 30

10. Flamurtari 25 8 6 11 29:31 30

11. Skënderbeu 24 7 6 11 29:34 27

12. Gramozi 24 5 7 12 15:27 22

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: ,

Komentoni