Home » Euro 2012 » Kuzhe e ka filluar ndërtimin e Kombëtares prej sulmit

Kuzhe e ka filluar ndërtimin e Kombëtares prej sulmit

Në prag të eliminatoreve të Euro 2012, Josip Kuzhe e ka filluar ndërtimin e Kombëtares prej sulmit.

Tradicionalisht, Shqipëria nuk është shfaqur asnjëherë në nivele të larta në këtë repart, por njihej prej kundërshtarëve për lojën e fortë në mbrojtje.

Në vitet e fundit, edhe pse përfaqësuesja kuqezi ka qenë një skuadër e aftë të dhurojë mjaft surpriza në grup (ku më të fundit kanë qenë barazimet me Portugalinë dhe Danimarkën, dy skuadra që luajnë në Botërorin 2010), sulmi ka qenë pika më problematike.

Pikërisht kjo ka bërë që tekniku kroat, në rolin e një kirurgu, të ndërhyjë për ta përforcuar këtë repart. Pas 12 muajsh punë në krye të stolit, ai i ka transmetuar skuadrës filozofinë sulmuese dhe kjo u pa më së miri në miqësoren e fituar 1:0 të martën përballë Malit të Zi.

Rrjeta e realizuar me mjeshtëri nga Hamdi Salihi në minutën e 79-të të lojës ishte konkretizimi i aksioneve të krijuara nga loja mjaft ofensive. “E kam krijuar me mjaft lehtësi repartin e mbrojtjes, por ajo që na mungonte ishte forca në fazën sulmuese.

Për këtë arsye i kam ‘përzier’ paksa rolet e lojtarëve në fushë”, deklaroi Kuzhe duke shpjeguar vendosjen taktike të ekipit. Bogdani, në rolin e sulmuesit kryesor ka qenë rrallëherë i vetmuar, sepse pas tij vepronin Salihi, Duro e Skela dhe më pas Hyka, i cili zëvendësoi kapitenin e dëmtuar në kokë.

Skema 4-2-3-1, e preferuara e trajnerit Kuzhe ka dhënë rezultate pozitive. Mbrojtja është konsoliduar. Cana dhe Curri në qendër japin garanci dhe janë të parët që japin shembullin në çdo dyluftim.

Dallku mbetet i pazëvendësueshëm në të djathtë, ndërkohë që në krahun e majtë Agolli dhe Vangjeli alternohen në varësi të gjendjes fizike dhe të kundërshtarit.

Por, fitorja tjetër e Kombëtares në Podgoricë, përveç asaj të arritur në fushë, ishte se skuadra tregoi qëndrueshmëri në lojën e saj. U evitua shpërqendrimi i zakonshëm në fragmente të caktuara të ndeshjes, ndërsa skuadra ka luajtur në bllok nga minuta e parë në të 90-n.

Sinjale pozitive dha edhe Andi Lila, i cili u spostua nga mbrojtja në rolin e shkatërruesit të mesit të fushës.

“E merituam fitoren, edhe pse malazezët niseshin si favoritë në këtë ndeshje. Luajtëm më mirë se kundërshtarët tanë. Megjithatë, nuk duhet të entuziazmohemi shumë, pasi kjo ishte vetëm një miqësore”, shtoi Kuzhe.

“Përballja e së martës ishte një test real për Shqipërinë, sepse në ndeshjen e parë eliminatore në Grupin D luajmë në fushën e Rumanisë, e cila është e ngjashme për nga kualiteti me Malin e Zi”.

Gjithçka funksionoi më së miri, me mbulimin zonal të yjeve të kundërshtarëve si Mirko Vuçiniç apo Simon Vukçeviç. Mbulimi i hapësirave me dy apo edhe tre lojtarë kur ishte e nevojshme ka bërë që kundërshtarët të rrezikonin vetëm dy herë portën e mbrojtur nga Isli Hidi.

Në të dyja momentet protagonist ka qenë Vuçiniç, ndërsa tentativat kanë lindur nga goditje standarde. Vendosja taktike e Shqipërisë është vlerësuar edhe nga trajneri i malazezëve, Zlatko Kranjcar.

Pasi debutoi me humbje përballë tifozëve në Podgoricë, ai deklaroi: “Shqipëria është një skuadër e mirë, me lojtarë me eksperiencë, të cilët luajnë së bashku prej shumë kohësh dhe që ka arritur rezultate pozitive në eliminatoret e kaluara. Ata ishin të shkëlqyer në aspektin taktik të lojës”.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: ,

Komentoni