Sulmuesi shqiptar nga Austria transferohet në Arabinë Saudite
Mensur Kurtishi përfundimisht ka realizuar transferimin e tij të cilën një kohë të gjatë e dëshironte. Reprezentuesi 23 vjeçar i Maqedonisë ka nënshkruar kontratë 1+1 me Al Taawon nga Arabia Saudite.
Kushtet e transferimit nuk janë bërë publike, mirëpo bëhet e ditur se sulmuesi shqiptar ka mbetur i kënaqur nga ajo që i kanë ofruar arabët.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe vet Kurtishi në një deklaratë ekskluzive për gazetën.
“Kam firmosur me Al Taawonin për një vit me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër”, tha Kurtishi, i cili do të jetë futbollisti i vetëm nga Maqedonia që do të luaj në Arabinë Saudite.
Futbollisti kumanovas kishte emigruar drejt Austrisë me familjen në moshën 13 vjeçare dhe në këtë vend kishte filluar hapat e tij të parë në futboll. Ai ka qenë pjesë e akademisë së Rapidit të Vjenës, ndërsa një kohë ka luajtur edhe për Parndorf. Kurtishi ka pasur një transferim drejt CSKA Sofja para dy vitesh, por i cili ishte anuluar me fajin e ekipit bullgar i cili nuk kishte pranuar ti pagojë dëmshpërblim, Parndorfit. Mirëpo çështja ishte zgjedhur me intervenimin e UEFA-së duke lënë të lirë futbollistin, i cili ishte kthyer në futbollin austriak me ekipin Magna SC.
Me këtë transferim të realizuar tashmë kanë përfunduar të gjitha thashethemet se ai do të kalojë në Politeknika (Rumani), Krila Sovetov (Rusi) ose në ndonjë klub tjetër nga Evropa.
Klubi i ri i Kurtishit bën gara në Ligën profesionale të Arabisë saudite, ndërsa është i themeluar në vitin 1956, që do të thotë se është ndër klubet më të vjetra në këtë shtet.
Stadiumi i klubit në qytetin Buraidah e mbanë emrin “Mbreti Abdullah”, i cili ka një kapacitet prej 25,000 ulëseve. Ekipi udhëhiqet nga tekniku rumun, Gheorghe Multescu me eksperiencë nga kampionati rumun (Dinamo Bukureshti, Politehnica Timisoara) dhe ai turk (Ankaragucu, Kayserispor, Adanaspor).
Kurtishi sezonin e kaluar ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës austriake SC Magna Wr. Neustadt, për të cilët ka shënuar më shumë se 10 gola në ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës austriake. 24 vjeçar në muajin qershor kishte debutuar me përfaqësuesen e Maqedonisë, duke u paraqitur në dy miqësore.









