Ndër mbrojtësit më stabilë në elitën e futbollit të Kosovës, Patrik Doçi përfundimisht ia ka kthyer shpinën kampionit në fuqi, Trepçës nga Mitrovica, Doçi tash e tutje do të jetë pjesë e skuadrës së Ballkanit nga Theranda, e cila pas sa vitesh është rikthyer në shoqërinë elite.
Doçi nuk e ka pasur të lehtë që të merr vendim për të kaluar në radhët e Ballkanit, pasi që, sipas tij, të largohet nga një klub kampion paksa është e mundimshme. Futbollistin Doçi nuk e përcolli pranverë e mirë, pasi ka pasur lëndim mjaft të rëndë në kraharor dhe vetëm në dy-tri ndeshjet e fundit i ndihmojë Trepçës.
“Me Ballkanin jemi marrë vesh në detaje si për nga kushtet dhe për të gjitha çështje të tjera. Në Ballkan kam firmosur për një vjet kontratë. Kushtet janë aq të mira sa nuk e besoj se ndonjë futbollist do t’i ketë më të mira sesa unë. Unë luaj në atë klub që më afron para më shumë dhe nuk më intereson se është kampion apo në pjesën e poshtme të tabelës ”, tha Doçi.
Mbrojtësi me prejardhje prizrenase tha se në Trepçë nuk ka mundur të përshtatet në disa raste, por assesi nuk ia ka hedhur fajin as kryesisë as trajnerit.
“Nuk kam mundur të adaptohem ashtu si kam menduar në Trepçë. Klub me traditë të gjatë të futbollit, por diçka nuk kam mundur të adaptohem sa duhet. Sigurisht se ka ndikuar edhe lëndimi i krahut, por kryesisht nuk jam ndier aq mirë. Vërejtje nuk kam ndaj kryesisë, as ndaj trajnerit, të gjithë kanë qenë korrekt dhe obligimet janë kryer ndaj meje sipas marrëveshjes. Jemi ndarë me Trepçën në mënyrën më të mirë”, theksoi ai.
Synimi i këtij futbollistit është që me Ballkanin të luftojnë për mbetje në elitë, por nuk e përjashton mundësinë të luftojnë edhe për më lartë.
“E jona është të bëjmë lojë sa më të mirë dhe të sigurojmë edhe mbetjen në shoqërinë elite. Duhet të jemi real dhe jo të hyjmë me synime bombastike. Nëse Ballkani i jepet rasti të luftojë për më shumë, pse mos të bëjmë një gjë të tillë gjatë kampionatit të ri”, tha Doçi.
Drejtuesit e futbollit Ballkani kohët e fundit kanë nisur të investojnë shumë jo vetëm në futbollistë, por edhe në rregullimin e infrastrukturës së fushës. Të gjithë janë me një synim që të bëjnë Ballkanin e fortë për elitën e futbollit dhe të arrijnë suksese sa më të mira.









