Përfaqësuesja e Kosovës në boks pritet të zhvillojë dy meçe miqësore me përfaqësuesen e Gjermanisë. Meçi i parë planifikohet të zhvillohet në mes të muajit nëntor në Gjermani, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm dy përfaqësueset mund të takohen në Kosovë.
Ofertën për të zhvilluar meçet me Gjermaninë e ka bërë boksieri i njohur kosovar Luan Krasniqi. Krasniqi këtë ofertë e ka paraqitur gjatë një takimi që kishte me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Hazirin, javë më parë. Më pas Krasniqi ka dërguar edhe projektin e detajuar.
Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, ka bërë të ditur të hënën se projekti tash për tash është i papërballueshëm për DS-në. ”Gjatë takimit me ministrin, Luan Krasniqi ka ofruar një marrëveshje për zhvillimin e dy meçeve miqësore.
Meçi i parë planifikohet të zhvillohet në Gjermani në mes të nëntorit, ndërsa meçi i dytë në Kosovë, në janar. Por, projekti është i kushtueshëm dhe momentalisht i papërballueshëm për Departamentin e Sportit. Për këtë arsye jemi duke folur me sponsorë të ndryshëm që këto meçe të zhvillohen”, ka thënë Alaj.
“Zhvillimi i këtyre meçeve është në interes të boksit dhe sportit kosovar në përgjithësi. Qëllimi i Luan Krasniqit është që të ndihmojë boksin kosovar. Ai do të ndihmojë Federatën e Boksit të Kosovës në procesin e ndërkombëtarizimit dhe pranimit në Federatën Ndërkombëtare. Edhe këto meçe parashikohen të zhvillohen për këtë qëllim”, ka shtuar Alaj.
39-vjeçari Luan Krasniqi është boksieri më i suksesshëm shqiptar. Jeton në Gjermani, vend në të cilin vlerësohet si sportist me autoritet. Në Lojërat Olimpike “Atlanta 1996″ fitoi medaljen e bronztë në kategorinë e rëndë, duke përfaqësuar Gjermaninë.
Si amator doli edhe nënkampion i botës dhe kampion i Evropës. Në boksin profesionist ishte kampion i Evropës në kategorinë e rëndë, ndërsa luftoi edhe për titull të kampionit të botës. Meçin e fundit e ka zhvilluar më 15 nëntor të vitit 2008, kur u mposht me ndërprerje nga Alexander Dimitrenko.
Në profesionalizëm ka bilanc prej 30 fitoresh, katër humbjesh dhe një barazim. Boksieri i lindur në Junik ka thënë më herët se sërish do t’i kthehet ringut. Përfaqësuesja e Kosovës në boks merr pjesë në Ligën Ndërkombëtare “Boxing One”, ku paraqiten edhe skuadra nga Hungaria, Polonia, Çekia e Sllovakia.
Boksierët kosovarë paraqiten edhe në turne ndërkombëtare. Pasi FBOXK nuk është e pranuar në AIBA, boksierëve nga Kosova nuk u lejohet pjesëmarrja në gara të nivelit të lartë, si kampionatet botërore e evropiane.









