Njëra prej hendbollisteve më të mira në vijën e sulmit, Admire Hasani, do t’i mungojë deri në pranverë KH Prishtinës.
Klubi i hendbollit Prishtina ka paraqitur listën me hendbolliste në Federatën e Hendbollit Evropian (EHF-i), por mungon emri i Admire Hasanit.
Cilat janë arsyet që Hasani nuk do të jetë pjesë e Prishtinës për ndeshjet ndërkombëtare që do t’i zhvillojë me 4-5 shtator në ballafaqim me skuadrën qipriote, Enosi Neoleas Athienou?
Hendbollistja ka dhënë arsyet e saja dhe bëri me dije se në Prishtinë mund të kthehet në pranverë. “Para disa ditëve jam martuar, kështu që nuk do të mund t’i ndihmojë Prishtinës për shkak të shtatëzanisë.
Dëshira ka qenë t’i ndihmojë, por është e pamundshme, por besoj se edhe pa mua do të realizojnë synimet kjo skuadër. Vetë kam kërkuar që emri im mos të figurojë në listën e EHF-it, jo për diçka që më ka penguar, por thjeshtë t’i jap mundësi dikujt tjetër të luajë në pozitën time”, tha Hasani.
Njëri nga zyrtarët e KH Prishtina, që nuk ka dashur t’i përmendet emri, ka thënë se edhe pa Admire Hasanin Prishtina funksionon dhe luan sigurisht edhe më mirë. Ai nuk e ka marrë aq tragjike që Admirja nuk do të jetë pjesë e Prishtinës, por sipas tij, edhe po të ishte kjo hendbolliste Prishtina e ka ndërmend të sjellë disa përforcime për garat evropiane.
“Sigurisht se mund të jetë edhe hendikep mungesa e Admires, por jo edhe e pazëvendësueshme, ka mundësi t’ia shohim edhe hairin mungesës së saj, sepse mund të kemi ndonjë hendbolliste edhe më të mirë se ajo. Me të gjitha hendbollistet që jemi në bisedime, janë të cilësisë së lartë dhe që i duhen kësaj skuadre për ndeshjet ndërkombëtare.
Prishtina është klub i madh dhe s’do të thotë se mungesa e një apo dy hendbollisteve mund të çojë edhe peshë”, tha një zyrtar në KH Prishtina. Admirja nga viti 2007 ka qenë pjesë e Prishtinës dhe ka qenë edhe më së e merituara për rezultatet që ka arritur kampionia në fuqi e Kosovës.
Drejtuesit e këtij klubit thonë se brenda disa ditëve pritet të nënshkruhet kontrata me disa nga hendbollistet e huaja, të cilat do të jenë edhe potencial i madh për ndeshjet ndërkombëtare.
Klubi prishtinas gjatë të hënës së kësaj jave ka nisur përgatitjet nën drejtimin e Agim Shkodrës dhe është në vlugun e përgatitjeve intensive që të zënë hapin e humbur, sepse i kanë filluar ato me vonesë.









