Besa e Pejës ka vazhduar me fitore para adhuruesve të vet, edhe në ndeshjen e tretë që e zhvilloi në stadiumin “Shani Haxhiislami”, në Pejë.
Të kuqtë kësaj radhe mundën me rezultat bindës 3:0, të rikthyerit në elitë, Trepçën ’89. Ndër më të merituarit, që kampionët e trefishtë në dekadën e fundit, demoluan portën e “xehetarëve”, ishte sulmuesi këmbëshpejtë, Fitim Kasapi. Ai në këtë ballafaqim shënoi dy gola, për t’i lënë gjumë të rehatshëm, trajnerit Valdet Shoshi në vazhdimësi të garave. Pas humbjes në Pejë, drejtuesit e Trepçës ’89 kishin reaguar ndaj siç thanë ata gjykimit të dobët të gjyqtarëve, që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Por, Kasapi pos Besës më parë ka djersitur edhe fanellat e skuadrës ulqinake, Otrant, Buduçnostin e Podgoricës, dhe së fundi Vllazninë e Shkodrës, prej nga edhe u kthye te Besa, thotë se me plotë meritë ia dolën të shënojnë fitore, duke mos dashur të komentoi deklaratat e mitrovicasve.
“Unë nuk dua të komentoi asnjë deklaratë të të tjerëve dhe as që dua të merrem me gjykimin e ndeshjeve, por ajo që mund të them është se ne fituam me plotë meritë në ballafaqim me Trepçën ’89. Fakti që e përmbyllëm takimin me tri gola dallim flet vet se ne aty ishim mbizotërues në lojë”, tha Kasapi.
Sulmuesi pejan më pas ka thënë se përkundër nisjes së mbarë të edicionit nga Besa, ende është herët të mendohet për titullin e kampionit.
“Kanë mbetur edhe 27 javë për t’u zhvilluar dhe është herët të mendojmë për trofe, sigurisht se do të mundohemi të vazhdojmë me lojëra të suksesshme në mënyrë që të qëndrojmë në mesin e ekipeve kryesuese, e nëse na jepet mundësia të kërkojmë edhe titullin”, ka thënë ai.
Kasapi thotë se Besës mund t’i prish punë vetëm skuadra kryeqytetase, Prishtina, ndërkaq për tjerat nuk e qan kokën shumë. “Prishtina ka dëshmuar se ka skuadër për respekt, përkundër asaj qe ne jemi të vetmit që i mposhtëm ata, vetëm ajo skuadër mund të na prish punë”, citoi Kasapi.
Besa pos tri fitoreve në shtëpi, ka pësuar dy humbje në udhëtim, ndaj Lirisë në javën e dytë dhe kundër Drenicës në ndeshjen e javës së katërt. Kasapit i mbetët më së shumti merak për humbjen nga Drenica, “Kemi mundur shumë lehtë të arkëtojmë pikët e plota ndaj Drenicës, por fati na ktheu shpinën në atë takim, ndërsa në Prizren nuk ishin në lojën tonë”, ka thënë Kasapi. /botasot









