Për gati një dekadë, skuadrës së Besës është duke i prirë, trajneri dhe ish-futbollisti i njohur gjakovar, Genc Hoxha.
Ai me Besën ka arritur rezultate impresive, duke qenë kampion e nënkampion, në finale të Kupës dhe duke vazhduar përherë punën me të rinj për të arritur stabilizim të plotë në futbollin e Kosovës. Në një bisedë që zhvilluam për lexuesit e “Bota Sot”, ai vlerëson stinorin e sapopërfunduar, duke potencuar se në punën e tij nuk ka përzierje kompetencash siç ngjet në disa klube të tjera.
BS: Si e vlerësoni këtë edicion ?
G. Hoxha: Gjatë këtij viti kemi qenë skuadër stabile, kemi pasur paraqitje të mira dhe besoj që kemi luajtur rol të rëndësishëm në futbollin e Kosovës.
BS: Edhe këtë herë pa trofe ?
G. Hoxha: Në fillim të këtij kampionati qëllim i kemi pasur lojërat e mira dhe nuk i kemi hyrë garës me çdo kusht për pozitën e parë. Ndërkaq, në ndeshjet për kupë, në ballafaqim me Lirinë nuk u paraqitëm si herëve tjera.
BS: Pozita e katërt me meritë apo me fat ?
G. Hoxha: Me plotë meritë kemi arritur në pozitën e katërt dhe me pak fat, do të mund të fitonim edhe kampionatin.
BS: Kryesia dhe autonomia jote në punë ?
G. Hoxha: Kam pasur autonomi të plotë, unë jam ai që vendosi edhe për fondin e lojtarëve. Së bashku me komisionin që caktohet nga klubi, hartojmë programe e koncepte dhe në bazë të mjeteve materiale, të cilat i disponojmë, vendosim për përforcime të mundshme, ndonëse fillimisht orientohemi nga radha e juniorëve. Kjo formë është treguar e suksesshme, të paktën deri me tash, sepse edhe në këtë edicion kemi inkuadruar mjaftë të rinj nga grup-moshat e shkollës së Besës.
BS: Futbollistët, cili u dallua më së shumti ?
G. Hoxha: Edhe pse më i moshuar se të tjerët, kapiteni Haxhi Zeka, është lojtari më i dalluar. Ai mirë i ka prirë skuadrës edhe në këtë edicion, natyrisht duke komplementuar edhe lojën dhe barrën e të tjerëve që bartën, për të gjetur kënaqësinë dhe shpresën tek të rinjtë që janë e ardhme e ekipit tonë.
BS: Rivaliteti dhe korrektësia ?
G. Hoxha: Rivaliteti në këtë vit ka qenë më i madh, pasi në saje të zvogëlimit të ligës, në çdo rreth patëm nga dy – tri ndeshje derbi. Korrektësia këtë herë ishte për lakmi, ne si skuadër jemi shumë të kënaqur pasi në çdo vend kemi kaluar mirë. Për të spikatur është numri i shikuesve jo i mjaftueshëm qoftë në Pejë apo edhe në mjedise të tjera. Prandaj, po qe se kemi ngritur cilësinë, kjo nuk mohohet nga askush, mendoj që është koha e ndryshimeve për terminet e ndeshjeve që shikuesit t’i ofrojmë mundësinë kur ai gjënë mundësi e disponim të vijë në stadium.
BS: Atëherë sa ju ndihmuan ata në arritjen e objektivit ?
G. Hoxha: Ata që na kanë ndjekur vazhdimisht na kanë dhanë përkrahje, por thash se nuk jemi të kënaqur me numrin e tyre. Dëshirojmë që ne vazhdim të ketë rritje të shikuesve në shkallët e stadiumit. E kuptoj që ai më nuk do të vie vetëm sa për të bërë tifo, por kërkon edhe të relaksohet, zbavitet dhe të ndjehet mirë në një stadium sikurse që e bën aktivitetin edhe në natyrë, për ç’gjë Peja është e njohur. Mirëpo, meqë, siç kam dëgjuar, shumë shpejtë do të fillojnë ndërtimet në stadium, për të cilin thonë se do të jetë i përmasave evropiane, atëherë pejani nuk do të ketë arsye të mos vij në stadium.
BS: Strategjia ?
G. Hoxha: Strategjia e Besës është që vazhdimisht të qëndroi në krye të futbollit të Kosovës. Moto jona është puna jo vetëm me seniorë, por edhe me grupmoshat e reja, në mënyrë që pejanin të mos e largojmë aq lehtë nga qyteti, siç na ka ndodhur me të tjerë, rasti i Beqirajt në Podgoricë apo edhe të ngjashme. Me këtë dua të them se Kosova një ditë do të jetë në FIFA dhe se futbollistët nuk do të mund të lëvizin pa dëmshpërblim që sot kjo çështje është thembër e akilit në futbollin tonë.
BS: Zhgënjyet ndonjëherë me lojë ?
G. Hoxha: Jo! Loja është diçka tjetër, kurse rezultati kaptinë në vete. Pra, nuk do të thotë nëse luan mirë edhe të fitosh, mendoj se luajtëm dhe u paraqitëm shumë mirë sivjet, kuptohet duke e përjashtuar takimin me Lirinë, për garat e Kupës. Ndoshta e kemi zhgënjyer publikun tonë me disa rezultate, por kujtoj se duhet të pajtohemi me realitetin dhe forcën që patëm. Fundja, Besa kudo u prit si ekip i fortë, sikurse që ishte edhe rasti në ndeshjen e fundit në Mitrovicë.
BS: Trepça doli kampione, ndërkaq Liria fitoi Kupën, reale kjo ?
G. Hoxha: Si Trepça, e cila në të shumtën e kohës ka qenë në krye të tabelës, ashtu edhe Liria deri te këto rezultate kanë arritur me meritë. Trepça ka krijuar një skuadër me emra të njohur, ndërkaq Liria ka eliminuar skuadra cilësore si Hysi, Prishtina e Besa. Ka ekipe të tilla që mbase pretendojnë se ato kanë mundur të jenë në vendin e tyre, por realiteti është ky.
BS: Kur jemi te emrat, të mbetët merak për ndonjërin që ta sjellësh në skuadrën e Besës ?
G. Hoxha: Nuk do doja t’i përmendja tani.
BS: Do të qëndroni në klub apo mbaruat punë ?!
G. Hoxha: Më Besën më lidhin shumë kujtime. Tashmë Peja është bërë vendlindja ime e dytë. Jam adaptuar në këtë rreth, në momente ndoshta edhe më mirë se në Gjakovë. Kur klubi, qyteti dhe tifozi të qëndrojnë afër, cila është arsye të ikësh? Nëntëdhjetë e nëntë për qind do të mbes te Besa, përkundër disa ofertave që i kam. /botasot









