Legjenda e basketbollit, Michael Jordan, thotë se kurrë nuk do të kishte pranuar që në kohën e tij të bashkohej në një skuadër me legjendat e tjera si Larry Bird e Magic Johnson.
Jordan thotë se asnjëherë nuk do të kishte bërë atë që bënë LeBron James, Dwyane Wade e Chris Bosh, duke u bashkuar në Miami.
“Kurrë nuk do ta bëja një gjë të tillë. Nuk do ta ftoja kurrë Larry Birdin e Magic Johnsonin dhe t’i thosha ‘Eja të bëhemi bashkë dhe të luajmë në një skuadër’”. Por, gjërat janë ndryshe tash. Nuk mund të them se është gjë e keqe. Është një mundësi që e kanë djelmoshat në ditët e sotme. Por, të them të drejtën unë në kohën time mundohesha t’i mposhtja basketbollistët e mëdhenj si Larryn e Magicun”, ka thënë Jordan për “NBC Sports”.
Jordan kishte luajtur me Larry Birdin e Magic Johnsonin në Përfaqësuesen e SHBA-së në Olimpiadën 1992 ku edhe fituan medaljen e artë. Ajo përfaqësuese quhej “Dream Team” (Skuadra e Ëndrrave).
Fituesi i gjashtë unazave të kampionit të NBA-së me Chicagon, Jordan, vlerësohet si basketbollisti më i madh në histori.
Ai aktualisht është pronar i skuadrës së NBA-së, Charlotte Bobcats, njërës prej skuadrave që do të jetë në një divizion me Miamin.
Miami me treshen e yjeve LeBron James, Dwyane Wade e Chris Bosh, menjëherë është shndërruar në pretendentin kryesor për të fituar titullin e NBA-së dhe për të dominuar basketbollin në vitet e ardhshme.









