Home » Sporte Luftarake, Xhudo » Hungareze e Braziliane stërviten në kampin pejan “Ippon”

Hungareze e Braziliane stërviten në kampin pejan “Ippon”

Lojërat Olimpike “Londra 2012” janë gjithnjë e më afër, për sportin e xhudos, sidomos në konkurrencën e femrave, Peja është shndërruar në qendër të rëndësishme botërore.

Sportistët që synojnë pjesëmarrjen në Olimpiadë, bëjnë përgatitje kulmore në mënyrë që sa më të gatshëm t’i presin këto gara prestigjioze, pavarësisht se për çfarë disipline bëhet fjalë, atje nuk e kanë problem të shkojnë edhe në anën tjetër të botës, kurse një pjesë e tyre edhe për të ardhur në Kosovë.

Majlinda Kelmendi, është dëshmi e mirë në këtë drejtim dhe trajnerë të ndryshëm po aterrojnë në Prishtinë dhe po ia mbathin për në qytetin buzë Karagaçit. Majlinda, së bashku me disa emra të njohur të xhudos evropiane e botërore, gjatë këtyre ditëve po merr pjesë në një kamp stërvitor, të cilin e mban klubi Ippon që e drejton trajneri i saj, Driton Kuka.

Në kamp i cili do të zgjasë deri më 2 mars, merr pjesë xhudistja e njohur hungareze Karakas Hedving, braziliania Katherine Campos, pastaj përfaqësuesja e xhudos së Malit të Zi, si dhe xhudistet kosovare të prira nga Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova.

“Ardhja e sportisteve të nivelit botërore në Pejë është edhe një dëshmi për cilësinë e trajnimeve dhe mundësitë që ofron kjo qendër në arritjen e sukseseve sportive e që i kanë lakmi shumë vende në botë”, tha trajneri Kuka, duke potencuar ardhjen e brazilianes Campos.

“Trajneri i brazilianes Campos, para vendimit që të dërgojë sportisten në Pejë ka kërkuar planin tonë. Kur e ka parë është pajtuar me metodologjinë dhe na ka bërë ftesë që edhe ne të bëjmë vizitë atje dhe të vazhdojmë bashkëpunimin”, është shprehur trajneri Kuka.

Sporti i xhudos është ndër sportet më të popullarizuara në Brazil, duke u renditur në pozitën e katërt, e këtë e dëshmon edhe fakti se përfaqësuesja e Brazilit i ka sjellë këtij shteti hiç më pak se 15 medalje nga Lojërat Olimpike.

Kjo ka bërë që qyteti i Pejës të paktën për disa ditë të tërheqë vëmendjen e opinionit jo vetëm kosovar, por edhe më të gjerë të xhudos. Përveç Majlindës pjesë e këtij klubi është edhe Nora Gjakova, e cila veçmas në kohën e fundit ka pasur disa rezultate shumë të mira.

Ky kamp do të ndihmojë që klubi i Ipponit të përzgjedhë xhudistët kosovarë të cilët do të bëjnë përgatitje edhe për olimpiadën e vitit 2016. /SportiTotal.Net

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni