Futbollistët e reprezentacionit të Holandës pas humbjes së tyre në finale si “fajtor” e kanë identifikuar gjyqtarin e ndeshjes, Hauard Veb.
Përzgjedhësi i Holandës Bert van Marvajk ka deklaruar se “mbase gjyqtari ka qenë nën presion sepse spanjollët e fajësuan atë për humbjen ndaj Zvicrës dhe i ka favorizuar atë”.
Fjalë të ngjashme për gjyqtarin Veb kanë thënë edhe shumë futbollistë holandezë.
“Nuk është mirë të fajësojmë të tjerët për këtë humbje, por gjyqtari ka favorizuar Spanjën shumë në këtë ndeshje”.
Përgjatë ndeshjes Holanda ka shkaktuar 28 ndërhyrje të palejueshme në këtë ndeshje, disa prej të cilave kanë qenë brutale. Tetë futbollistët holandezë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe një me të kuq, kurse tek Spanja pesë futbollistë u “zverdhën” në njërën nga finalet më të ashpra në histori të kampionateve botërore.









