Abedin Ibrahimi, delegat i kuvendit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, ka qenë njëri prej më të zëshmit kur ka hedhur një breshëri kritika në muajin mars por edhe më vonë në adresë të Federatës së Volejbollit të Kosovës për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të mjeteve financiare.
Ibrahimi pati deklaruar atëkohë se nuk janë të arsyetuara të paktën 44 mijë euro dhe sipas tij rastin do çojë deri në fund. Në kuvendin e fundit të Federatës së Volejbollit të Kosovës nuk ishte proceduar raporti financiar nga Departamenti i Sportit të Kosovës. nga ajo e kohë e deri më tash është heshtur ky rast dhe as Ibrahimi që kishte çuar më së shumti pluhur nuk ka bërë zë. Pse e gjithë kjo heshtje? Ka pasur në fakt keqpërdorime, keqmenaxhim apo vetëm është hedhur pluhur e pluhur pa apo me fakte mbi Musa Selimin.
Ndërkohë, Ibrahimi e pranon faktin se ka qenë më i zhurmshmi atëkohë dhe thotë se as të ardhmen nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj padrejtësive dhe keqpërdorimeve. Sipas tij, do t’i luftojë deri në fund të gjitha të këqijat.
“Jo, jo, nuk bëhet fjalë për heshtje. Ashtu jemi marrë vesh në kuvendin e punës që pas përfundimit të kampionatit të mbahet kuvendi zgjedhor i Federatës së Volejbollit të Kosovës. Në kuvendin zgjedhor të bisedohet dhe të zgjidhet ky problem mjaft i ndjeshëm. Kjo punë nuk është vetëm e imja, por edhe e klubeve si dhe e Departamentit të Sportit të Kosovës. Qysh atëherë kam kërkuar të hyrat e klubeve dhe si janë shpenzuar që konsideroj se nuk janë përputhur në raportin e FVK-së . Besoj se kjo çështje do të zgjidhet në të mirë të të gjithëve”, tha Ibrahimi. Ai në vazhdim tha se nuk është ekonomist, por janë ata që duhet të merren me këtë çështje të mënyrës së menaxhimit të mjeteve financiare. Ibrahimi njeri që më së shumti ka bërë zhurmë dhe që kërkonte fije e për pe arsyetim për mjetet e humbura në FVK, që ishte dyshuar deri në 44 mijë euro. Ai nuk e pranon se është dorëzuar para kësaj ofensive që ka zhvilluar një kohë, por pret rastin dhe të zbardhet i gjithë ai mister që hutoi opinionin e volejbollit.
“Sigurisht se kam qenë më i zëshmi, s’ do të thotë se as sot nuk do të jem i zëshëm. Kuvendi i sqaron të gjitha gjërat”, tha Ibrahimi. Sa për ilustrim Ibrahimi në prononcimin e mëhershëm ka thënë se nëse rasti nuk zbardhet ashtu si kërkon do të padis edhe në gjykatë FVK-në mbase dhe do të fus auditorin e jashtëm. “Nuk ka nevojë për gjykatë dhe as auditor të jashtëm. Të ulem në kuvend të zgjedhim të gjitha dyshimet”, theksoi Ibrahimi.
A do të kërkojë falje?
Akuzat për humbjen e 44 mijë eurove, ku mbetën ato mjete dhe si do të arsyetohen, një kohë ishin tema më e nxehtë e zhvilluar (në periudhën mars-maj) në volejboll. Volejbolli atëkohë ishte në ajër dhe secili njeri ka pritur se çka do të ndodhë. Në pyetjen shtruar Ibrahimit, se do të ishte në gjendje të kërkojë falje, po qese të gjitha ato akuza dalin të pabaza adresuar Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe pikërisht Musa Selimit, kryetar i FVK-së. “Assesi nuk kam pse të kërkojmë falje. Të presim kuvendin zgjedhor dhe flasim më vonë”, tha Ibrahimi.
Kur mbahet kuvendi zgjedhor?
Musa Selimi, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, nuk dëshiroi të flasë për akuzat që janë bërë në të kaluarën, por qëllimi i tij është të çojë volejbollin përpara dhe të ngrejë edhe cilësinë e këtij sporti. Selimi tha se është bordi që cakton edhe mbajtjen e kuvendit zgjedhor dhe me gjasë ajo do të mbahet para fillimit të kampionatit të ri. Sa i përket mos procedimit të raportit financiar nga DSK-ja, Selimi tha shkurt: “Kuvendi i FVK-së është organi më i lartë që ka proceduar dhe nuk është DSK-ja”. Selimi. Në kuvendin zgjedhor do të rikandidojë apo jo Musa Selimi për kryetar? “Është çështje e hapur dhe më së miri vendosin kuvendarët”, tha Selimi.
FVK-ja ende e palicencuar
Brenda një kohe të shkurtër pritet që të licencohet edhe Federata e Volejbollit e Kosovës. Kjo federatë nuk është e licencuar në Ministrinë e Sportit të Kosovës për arsye se duhet të përmbushen edhe disa kushte. Kryetrari i FVK-së këtë e ka quajtur si çështje kohe kur do të licencohen sepse është njëra prej federatave që i ka kushtet më të mira dhe nuk ka asgjë të keqe. “Licencimi shumë shpejt do të ndodh, sepse volejbolli është një prej sporteve më të organizuara dhe që ka shtuar masivitet dhe cilësi. Këtë e kemi dëshmuar në praktikë, me punë, me ndeshje që kemi organizuar dhe në përgjithësi”, tha mes të tjera Selimi. Nga ana tjetër, tentuam të bisedojmë edhe me zëvendësdrejtoren e DSK-së, Afërditë Fazliu, por ka qenë e pamundur, pasi kufje e saj telefonike nuk funksionoi.









