Home » Tenis » Federata Ndërkombëtare e Tenisit pezullon per 9 muaj Marin Cilicin

Federata Ndërkombëtare e Tenisit pezullon per 9 muaj Marin Cilicin

Federata Ndërkombëtare e Tenisit ITF më në fund jep vendimin e skualifikimit për tenistin Marin Cilic. Numri 24 i botës në klasifikimin ATP, i cili është njëkohësisht edhe tenisti kroat me renditjen më të lartë në ranking pezullohet nga ky sport për një periudhë 9 – mujore.

Në një komunikatë të nxjerrë nga organizmi më i lartë i tenisit thuhet se Marin Cilic ka rezultuar pozitiv me niketamide, për shkak të marrjes në mënyrë të pavullnetshme të tabletëve të glukozës me coramine dhe nuk ka patur aspak për qëllim të përfitojë në aspektin sportiv.

Testi i ekzaminuar në laboratorët e Agjencisë Botërore të Antidopingut, në Montreal, evidentoi praninë e substancës së ndaluar stimuluese coramine, të cilën Cilic pranoi se e ka marrë në farmaci dhe që i është përzier pa dijeninë e tij nga nëna, sidoqoftë pas kontrolleve të bëra i njëjti medikament u gjet me mbështjellje identike në një farmaci në Monte Carlo.

Gjykata e pavarur që mori në shqyrtim cështjen e tij e pranoi mbrojtjen e 24-vjecarit nga Medugorje dhe e reduktoi kohën e pezullimit në vetëm 9 muaj, duke filluar nga data 1 maj e këtij viti, ndërsa rikthimi i tij do të jetë më 31 janar të vitit të ardhshëm.

ITF në deklaratën e nxjerrë konfirmoi se Cilic rezultoi pozitiv në turneun BMW Open të Munich-ut, gjithsesi tenisti kroat nuk luan që nga ndeshja e tij e raundit të dytë në Wimbledon, ku u tërhoq me justifikimin e një dëmtimi në gju.

Interesant është fakti se gjysmëfinalisti i vitit 2010 në Australian Open, rezultat që përbën edhe arritjen më të madhe në karrierë për të, u eliminua në Roland Garros në turin e tretë nga tenisti serb Victor Troicki, i cili në muajin korrik u skualifikua për 18 muaj, pasi iu shmang një testi antidopingu në MonteCarlo.

Gjithmonë e më shumë sporti i tenisit po përflitet për përdorimin e substancave të ndaluara dhe menjëherë na vjen në mendje rasti i argjentinasit Mariano Puerta, i cili në vitin 2005 doli në finalen e Roland Garros-it, pikërisht turneut të parë të madh të fituar nga Rafael Nadal dhe historia tregon se Puerta asokohe përsëritës, u ndëshkua me plot 8 vjet skualifikim.

Rasti i pozitivitetit të një ikone si Andre Agassi në vitin 1997, rast i cili më pas u pranua në biografinë e tij nga vetë superstari amerikan konfirmon më së miri se ky sport ka kohë që është prekur nga një fenomen i tillë, madje në nivelet më të larta. Marin Cilic u fut për herë të parë në dhjetëshen më të mirë të botës në shkurt të vitit 2010 dhe ka qëndruar plot 11 javë radhazi në Top 10, duke u ngjitur deri në pozicionin e 9 në renditjen botërore.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni