Dinamo e ka humbur ndeshjen e parë në Moldavi, ndaj FC Sherif Tiraspolit, në kuadrin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, për edicionin 2010-2011.
Me rezultatin 3-1, blutë, kampionët e Shqipërisë, do të kthehen nga Moldavia, me shpresa të pakta për të përmbysur disavantazhin në ndeshjen e kthimit, në Tranë, për t’u kualifikuar më tej. Ka nisur me humbje kësisoji edhe debutimi i trajnerit aergjentinas, Luis Blanko në krye të Dinamos, megjithatë shpresat nuk janë humbur. Nën një shi, që ka rënë gjithë lojës në qytetin e Traspolit, ka nisur edhe kjo sfidë, ku vendasit, për shumë arsye, ishin favoritë.
FC Sherif Tiraspol është i detyruar të luajë ndaj kampionëve të Shqipërisë me dy mungesa, pasi slloveni Mirali Samarxhiç dhe senegalezi Andre Diedhiou, nuk e kishin marrë ende veten nga dëmtimet. Ndërkohë, Dinamo ishte e plotë në grupin e saj, pa asnjë firo. Ndeshje ka filluar pas ekzekutimit të himnit përkatës të “Champions League“, ndërkohë që topin e kanë luajtur të parët blutë shqiptarë nga mesi i fushës.
Që në fillim duket qartë misioni i vendasve, të vendosin diktatin në fushën e lojës, të ushtrojnë presing mbi dinamovitët dhe ta gjejë golin sa më shpejt të jetë e mundur. Gjë së cilës ia kanë arritur me sukses, sepse kanë kaluar në epërsi shumë shpejt, që në minutën e 9-të, me anë të Volkov. U duk se do të startonte një goleadë në portën e Isli Hidit, që edhe ai, si trajneri Blanko, kishte debutimin me fanellën e Dinamos, i ardhur kohët e fundit te kampionët e Shqipërisë. Por ka ndodhur e papritura e madhe, teksa dinamovitët kanë kundërsulmuar, vetëm dy minuta pasi e kishin nxjerrë topin nga rrjeta e tyre dhe kanë shënuar.
Pikërisht kur kronometri i gjyqtarit suedez të ndeshjes shënonte minutën e 12-të. Goli u ka ardhur në ndihmë bluve, sepse jo vetëm ka rivendosur ekuilibrat në fushë, por edhe ka rikthyer stabilitetin e nevojshëm psikologjik te kampionët e Shqipërisë, për ta vijuar me dinjitet përballjen me kampionët e Moldavisë. Autori i golit të barazimit për Dinamon ka qenë Malakarne. Minutat e mëpastajme, të pjesës së parë, vijojnë me një epërsi në zotërimin e topit dhe të hapësirës së blertë nga vendasit, ndërsa dinamovitët i kushtojnë shumë rëndësi mbrojtjes, duke kundërsulmuar, me shpresën se do të shfrytëzonte befasinë e Bakajt, në sulm.
Por 45 minutat e para të ndeshjes nuk kanë sjellë ndryshime të tjera në rezultat, pasi barazpesha 1-1 i ka dërguar të dyja skuadrat në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë paraqet në fushë një FC Sherif më kërkues, më dominues dhe që shikon përpara, nga porta e Hidit. Duket qartë se do t’i shkarkojnë të gjitha energjitë e tyre për të shënuar sa më shumë gola. Dhe ndërmarrin aksione të njëpasnjëshme në prapavijën dinamovite, e cila duhet t’i përveshet një pune mjaft të madhe.
Së cilës nuk ia ka dalë mbanë, në dy raste, kur moldavët kanë arritur të konkludojnë në portën e Hidit. Respektivisht, me anë të Nikolic (62’) dhe Nadson (70’). Kur Dinamo po përpiqej mos realizonte edhe golin e dytë, sulmuesi i saj kryesor, Elis Bakaj, e ka lënë në baltë, sepse në minutën e 68-të ka dalë jashtë loje me karton të kuq, pas një momenti gjaknxehtësie me një mbrojtës kundërshtar. Reagimi i lojtarit të talentuar të Dinamos nuk është toleruar aspak nga gjyqtari suedez i ndeshjes, që i ka treguar kartonin e kuq, duke i lënë blutë pëe 20 minuta me 10 lojtarë në fushë, në inferioritet numerik. Por, kjo dalje me të kuqe e Bakajt e ndëshkon Dinamon edhe për ndeshjen e kthimit, sepse do t’i duhet të luajë pa të (Bakajn) në Tiranë, kur dihet se pritshmëritë karshi këtij lojtari nga kampionët e Shqipërisë janë të mëdha. Por atë e kanë tradhëtuar nervat, duke e lënë skuadrën e tij në një moment delikat.
FC SHERIF – DINAMO 3-1
Gjyqtarë: Daniel Stalhammar, Fredrik Nilsson, Joakim Flink (Suedi)
Kartonë të verdhë: Volkov (Sh), Putinčanin (D), Diop (D),
Karton i kuq: E.Bakaj (D)
Shënues: Volkov 9’, Nikolic 62’, Nadson 70’ / Malacarne 12’
FC SHERIF: Stojanov, Volkov, Tarkhnishvili, Nikolić (Gheorghiev 75’), Franca, Vranješ, Fred (Haciaturov 91’), Bulat, Nadson, Branković, Adamović.
DINAMO: Hidi, Pisha, E.Xhafa, Martinena, Garcia (Allmuca 79’), Vila, Muzaka (Sosa 72’) Bakaj, Putincanin, Malacarne, Diop./Sporti Shqiptar









