Atletët nga Etiopia e Kenia janë ndër të parët që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në gjysmëmaratonën ndërkombëtare “Prishtina 2010”.
Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, tha se sa i përket organizimit të këtij aktivitetit që zhvillohet më 9 maj gjithçka është duke shkuar në rregull. Gjysmëmaratona organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut, në bashkëpunim me Federatën e Atletikës së Kosovës, Drejtorinë për Kulturë, për Rini dhe për Sport të Prishtinës dhe në mbështetjen e Departamentit të Sportit të Kosovës.
“Kjo është gjysmëmaratona e dhjetë më radhë dhe jubilare. Do të përpiqem ta organizojmë më mirë se ato të tjerat dhe t’i japim një ngjyrë të këndshme festive kësaj ngjarje më të rëndësishme të vitit. Gjysmëmaratona organizohet nën patronazhin e Presidencës së Kosovës, e cila besoj se do të ketë risi të shumta. Falënderoj Departamentin e Sportit të Kosovës për mbështetje, ‘Pro Credit Bankën’ dhe shumë sponsorë të tjerë’, tha Sylejmani.
Drejtori i Departamenti të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj, tha se pret pjesëmarrjen e garuesve sa më cilësorë.
“ Siç dihet DSK-ja çdo herë i ka ndihmuar për gjysmëmaratonë. Ky vit është vit i veçantë, pasi kjo garë organizohet edhe nën patronazhin e Presidentit. Presim pjesëmarrjen e garuesve më cilësorë dhe një organizim më të mirëfilltë”, tha Alaj.
Drejtoresha e Drejtorisë për Rini, për Kulturë dhe për Sport e Prishtinës, Vlora Dumoshi, tha: “Ky vit është vit jubilar i gjysmëmaratonës. Si Drejtori jemi orvatur në të gjitha aspektet për ta ndihmuar në organizimin e kësaj gjysmëmaratone, njëherësh në bashkëpunim me drejtorinë për Arsim të Prishtinës do të organizojmë këtë aktivitet të madhështojmë edhe me pjesëmarrjen e nxënësve. Po ashtu dita e 9 majit shënon edhe Ditën e Evropës. Për një ditë do t’i shënojmë dy ngjarje të rëndësishme”.
Fatlum Grajçevci, koordinator i Këshillit Organizativ të gjysmëmaratonës, ka thënë se deri më tash pjesëmarrjen e kanë konfirmuar garuesit nga Etiopia, Kenia, Moldavia, Bullgaria.
“Në gjysmëmaratonë do të marrë pjesë edhe atletja nga Kenia, Milcah Gathoni Wanjohi, e cila ka kohën në gjysmëmaratonë 1,07,00”, tha Grajçevci.
Gjyqtari kryesor i kësaj gjysmëmaratone, Agim Jakupi, ka thënë se starti do të jetë nga Teatri Kombëtar në relacionin rrugës për Mitrovicë dhe anasjelltas. Zyrtari i federatës, Bislim Berisha, tha se regjistrimi i atletëve fillon nga data 1-8 maj.









