Më kërshëri të veçantë nga dashamirët e futbollit priten ndeshjet e kthimit të gjysmëfinales së kupës së Republikës së Kosovës në futboll.
Liria në Prizren pret Besën e Pejës, me të cilën ndeshjen e parë luajti baras 3:3, ndërsa në Gjakovë Vëllaznimi takohet me Gjilanin. Gjakovarët ndeshjen e parë e fituan në Gjilan me rezultat 3:2 dhe ka një përparësi të mirë në ndeshjen e kthimit.
Në Prizren pritet ballafaqim atraktiv për adhuruesit e këtij sporti në mes skuadrave të Rrafshit të Dukagjinit, Liria-Besa. Futbollisti prizrenas, Uliks Emra, ka thënë nuk do të lejojnë kurrfarë befasie në ndeshjen e kthimit me gjithë respektin e madh që ka për Besën.
“Mendoj se jemi paksa më të favorizuar ndaj Besës për shkak të rezultatit që kemi arritur në Pejë me shifra 3:3. Ky rezultat na jep paksa përparësi në fushën tonë. Lirisë i konvenon edhe barazimi 0:0, 1:0, por edhe 2:2, të cilat e dërgojnë në finale. Liria nuk do të hyjë me mentalitetin vetëm të luajë baras, por të shënojë fitore dhe të dëshmojë se ka skuadër shumë më të mirë se rivali.Besa ka skuadër të mirë, megjithatë Liria është më e mirë. Kemi rastin të shkojmë në finale dhe të luftojmë që të rrëmbejmë kupën e Kosovës. Këtë rast të mirë që e kemi nuk do të lëshojmë, por do të shfrytëzojmë maksimalisht. Assesi s’do të lejojmë të ndodh befasia në Prizren, por do të japim maksimumin në ndeshje që të shënojmë fitore njëherësh të gëzojmë tifozerinë tonë”, tha Emra.
Liria nuk do të ketë mungesë në lojë, por do të futet më përbërjen më të mirë.
“Përparësia më e mirë është se do të luajmë komplet dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për të triumfuar sa më lehtë ndaj rivalit. Është motiv i lartë të të gjithë futbollistët për këtë ndeshje, ku shpresoj se fitorja do të jetë e jona”, theksoi Emra.
Kryetrajneri i Besës së Pejës, Genc Hoxha, thotë se gëzon fakti se disa nga futbollistët e dënuar, e disa të lënduar do të kthehen pikërisht për në ndeshjen gjysmëfinale.
“Natyrisht se rezultati i ndeshjes së parë në Pejë nuk shkon në favorin tonë, megjithatë, kemi skuadër që dimë dhe mundem të thyejmë Lirinë në Prizren. Në përbërjen e parë janë kthyer Haxhi Zeka, i cili ka qenë i dënuar me tri ndeshje, po ashtu edhe Florent Papuqi, që vuajti dënimin e një ndeshje. Në radhët e Besës kthehen edhe dy futbollistët që kanë sanuar lëndimin, si Mensur Duraku, Elvis Gacaferi e Krenar Vokshi. Rikthimi i këtyre futbollistëve bënë me dije se Besa do të kërkojë rezultat të favorshëm dhe hyrjen në finalen e kupës së Republikës së Kosovës. Kundër Lirisë do të kemi mungesën e Bekim Bajraktarit, por si do që të jetë, Besa do të jetë shumë më e fortë se në ndeshjen e parë të gjysmëfinales. Liria është skuadër e respektueshme, me traditë, por Besa do të dëshmojë se dinë të fitojë edhe jashtë Pejës”, tha Hoxha.
Gjilani do të ketë sprovë të vështirë që ta thyejë Vëllaznimin në Gjakovë, skuadër që është më e shikuara në kampionatin e Kosovës. Vëllaznimi që udhëhiqet nga kryetrajneri Ajet Shosholli, synon që ta fitojë edhe ndeshjen e kthimit. Muharrem Sahiti, kryetrajner i Gjilanit, gjasat që të shënojë rezultat të mirë i sheh mjaft të mira megjithëse do të luajë si mysafirë.
Ndeshjet dhe gjyqtarët
Liria-Besa (3:3) P. Hasani, A. Latifi, J. Musolli.
Vëllaznimi-Gjilani (3:2) M. Ferati, A. Gashi, Z. Miranaj.
Ndeshjet fillojnë në orën 16.00
Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para /botasot









