Armand Duka është rizgjedhur për herë të tretë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, në mandatin e tij të tretë.
Pra, starti i tij në krye të futbollit shqiptar, nisur më 2002-in, do të vijojë deri në vitin 2014. 65 anëtarët e asamblesë zgjedhore të futbollit shqiptar kanë votuar të gjithë, duke i dhënë presidentit aktual, Armand Duka, plot 49 vota, ndërsa 15 vota të tjera i ka marrë kandidati tjetër Refik Halili.
Vetëm një votë ka marrë Rudi Vata. Sikurse duket, një votim plebishitar i asamblesë në favor të Dukës, i cili ka marrë kështu mandatin e tretë në krye të futbollit shqiptar. Një rezultat i pritshëm, fitorja e Dukës, por ndoshta jo me një rezultat kaq të thellë. Pas rizgjedhjes, presidenti Duka ka falënderuar votuesit për votëbesimin që i kanë dhënë, ndërkohë që ka përgëzuar edhe rivalët për garën, duke i garantuar se do t’i ketë parasysh vërejtjet e tyre në mandatin e radhës.
“Gjatë edicionit të kaluar arritëm rezultate të spikatura, barazimet në Portugali kanë qenë rezultate të paharruara, por jemi të ndërgjegjshëm që tifozeria e kombëtares kërkon më shumë dhe ne jemi të vetëdijshëm për të bërë një punë serioze. Stafi qe ka ngritur trajneri Kuzhe premton shumë edhe për të ardhmen. Edhe ekipi i shpresave premton shumë, me sjelljen në skenën e futbollit të disa emrave të rinj”- deklaroi Duka.
Në vijim do të zhvillohet edhe votimi për të zgjedhur 9 anëtarët e Komitetit të ri Ekzekutiv, si organi kryesor vendimmarrës në futbollin shqiptar. Në këtë komitet, që do të ketë në përbërje 11 anëtarë, automatikisht, sipas statutit të FSHF-së, shkon presidenti i rizgjedhur, Armand Duka, dhe presidenti i shoqatës së gjyqtarëve, Tahir Kastrati. (marrë nga Sporti Shqiptar)
Rezultatet e votimit
1. Armand Duka 49 vota
2. Refik Halili 15 vota
3. Rudi Vata 1 votë









