Paskësh qenë shkruar që pikërisht në javën e 29-të të Superligës së Shqipërisë, që Dinamo të shpallej zyrtarisht kampione e vendit, titull të cilin, në fakt, e ka bërë të sajin qysh para mbarimit të fazës së dytë të garës.
Por, më pas, në fazën e tretë, mban rekordin më negativ se çdo skuadër tjetër, sa u takon pikëve të grumbulluara, pasi ka bërë dhurata të shumta karshi nevojtarëve. Gjë të cilën e bëri edhe javën e 29-të, teksa u mund 2:1 nga Teuta e Durrësit. Pra, kemi një kampione të re, që shpallet e tillë duke humbur disa javë rresht, por “dhjami“ që kishte akumuluar dy fazat e para ia kanë lejuar një komoditet të tillë.
Në kurorëzimin edhe matematikisht të Dinamos kampione ka ndihmuar Laçi, që ka mundur Tiranën brenda në “Qemal Stafa“, duke i shkurorëzuar bardheblutë, nga njëra anë, por edhe duke i larguar nga Kupat e Evropës. Gjithashtu, rezultatet pozitive në ndeshjet direkte me Besën e vendit të dytë, kanë bërë që zyrtarisht dhe matematikisht skuadra e Shkëlqim Muçës të jetë kampionia e Shqipërisë, katër javë para mbarimit të garës.
Në atë zonë të lakmueshme për shumë konkurentë të superligës shqiptare, zonën UEFA, rikthehet bindshëm skuadra e Stavri Nicës, që rrezaton një nga modelet më të mira të garës, edhe në aspektin e lojës së ndershme dhe pa asnjë kompromis. Të paktën për momentin, gjë e cila mbetet të konfirmohet në katër javët e mbetura. Skënderbeu i Korçës ka treguar sërish se nuk është ai i fitoreve radhazi në fazën e tretë, ndaj një rivali direkt, siç është Apolonia.
Një barazim 1:1 në Korçë ka nxjerrë më të kënaqur fierakët, të cilët, ashtu si edhe Flamurtari u kanë treguar juglindorëve se në futboll nuk mjafton vetëm të luash jashtë fushe. Një leksion ky për Skënderbeun, i cili duhet t’u falet 3 pikëve të marra në tavolinë për ndeshjen me Vllazninë, ndryshe do ta kishte “lakun në fyt“. Vllaznia e Shkodrës, falë asaj “vetëvrasjeje“ që bëri një javë më parë, ndaj Skënderbeut, e shikon veten në pozita delikate.
Rezultatet
Dinamo-Teuta 1:2
Besa-Shkumbini 2:0
Tirana-Laçi 1:2
Skënderbeu-Apolonia 1:1
Kastrioti-Vllaznia 2:0
Gramozi-Flamurtari 1:1
Tabela
1. Dinamo 29 18 4 7 48:31 58
2. Besa 29 13 7 9 31:24 46
3. Laçi 29 12 9 8 30:24 45
4. Tirana 29 13 5 11 31:27 44
5. Vllaznia 29 12 6 11 33:35 42
6. Flamurtari 29 11 7 11 36:33 40
7. Shkumbini 29 11 6 12 27:27 39
8. Teuta 29 11 5 13 28:36 38
9. Kastrioti 29 11 6 12 28:3136
10. Apolonia 29 9 8 12 34:37 35
11. Skënderbeu 29 9 7 13 36:40 34
12. Gramozi 29 5 8 16 17:34 23









