Stadiumi i qytetit në Prishtinë, duket më i shëmtuar një ditë pas ndeshjes finale të Kupës së Republikës së Kosovës, në të cilën Liria doli fituese karshi Vëllaznimit me rezultat 2:1.
Gjatë 15 minutave të para të lojës shtesë, adhuruesit e Vëllaznimit në shenjë pakënaqësie ndaj simpatizuesve të Prishtinës, Plisat, të cilët i kishin ardhur në ndihmë prizrenasve në tribunën qendrore, filluan sjelljet vandale. Ata fillimisht shqyen flamujt bardh e kaltër që ishin të vendosur në lindje dhe më pas filluan edhe demolimin e ulëseve, disa prej të cilave i hodhën në fushë. Afrim Muçiqi nënkryetar i FC Prishtina tha, se ajo që ka ndodhur në stadiumin e kryeqytetit është turp.
“Është një turp i madh ajo që ka ndodhur në stadium, janë shqyer rreth 100 flamuj të skuadrës dhe dhjetëra karrige janë demoluar”, ka thënë Muçiqi.
Ai shtoi se pret në ditët në vazhdim të kontaktoj me FFK dhe të krijohen komisione të përbashkëta për vlerësimin e dëmit.
“Ne presim që gjatë kësaj jave së bashku me FFK-në, e cila ishte organizatore e finales, të krijojmë komisionet e përbashkëta dhe të evidentojmë në përpikëri dëmin e shkaktuar”, nënvizoi nënkryetari prishtinas.
Edhe drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit, shprehen indinjatën e tyre për sjelljet e shikuesve. Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së tha se të gjitha obligimet ndaj stadiumit do të kryhen nga ata, të cilët ishin edhe organizator të ndeshjes. Ndërkohë, dënoi rëndë sjelljen e publikut.
“Ne do të krijojmë komisionin e përbashkët me klubin Prishtinës dhe do të kryejmë çdo obligim që na takon si organizator të asaj ndeshje”. Më pas Salihu premtoi se do të japin përgjegjësi të gjithë ata që i qiten hije të keqe një organizmi shumë të mirë.
“Organet e FFK-së, do të nxjerrin autorët të cilët e shkaktuan atë tollovi, dhe u munduan të prishin imazhin e finales. Iu premtoi se do të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Salihu. Nga fillimi i takimit, krahas skuadrave në fushë, rivalitet i theksuar u vërejt edhe në tribuna. Si “arpaxhikët”, ashtu edhe “Kuqezinjtë e Jakovës”, nuk kursyen asnjë fjalë për të ofenduar apo fyer njëra tjetrën.
Situata filloi të dalë nga kontrolli gjatë vazhdimit të parë, kur tifozët kuqezi filluan të demolojnë ulëset në lindje, ndërkaq si pasoj e kësaj ata u larguan para kohe nga stadiumi për t’i lënë të vetmuar prizrenasit të festojnë trofeun e kupës.









