Chelsea është kampion i ri në Premierligë, për herë të katërt në histori të klubit.
Ekipi i Carlo Ancelottit e shkatërroi Wiganin 8-0 në Stamford Bridge në xhiron e fundit, të dielën. Gjiganti londinez e parandaloi Manchester Unitedin të bëhet klubi i parë që fiton titullin për vitin e katërt me radhë.
Chelsea e rrëzoi nga froni Manchester Unitedin dhe mori titullin e kampionit në Premierligë, pas fitores së thellë 8-0 nga Wigan Athletic, të dielën.
Edhe pse Djajtë e Kuq përfunduan sezonin me fitore 4-0 ndaj Stoke në Old Traffordit, festa e madhe ishte në Stamford Bridge, ku golat nga Didier Drogba (het-trik), dy nga Nicolas Anelka dhe një nga Frank Lampard dhe Salomon Kalou i siguruan Chelseas titullin e kampionit me një pikë më tepër se Manchester United (86 me 85), në sezonin e parë nën drejtimin e menaxherit italian, Carlo Ancelotti.
Ky është titulli i tretë i Chelseas në gjashtë vitet e fundit dhe i katërti në histori të klubit. Gjiganti londinez e parandaloi Manchester Unitedin të bëhet klubi i parë që fiton Premierligën për katër vjet me radhë si dhe titullin e 19-të.
“Pas epërsisë 1-0, për herë të parë kam menduar ‘Po, titulli është yni,” tha kapiteni i Chelseas, John Terry, jeta private e të cilit i ka kushtuar me humbjen e shiritit të kapitenit të Kombëtares angleze.
“Harroni gjithçka tjetër, jemi klubi futbollistik Chelsea dhe kjo është dita jonë. Kanë qenë tri vite të vështira pa fituar titullin në Premierligë, por sot e kemi merituat atë. Dhemb të shohësh Manchester Unitedin duke e fituar për tri vjet rresht”, përfundoi ai.
Përveç titullit të kampionit, me fitoren e thellë kundër Wiganit, Chelsea u bë klubi që shënoi numrin më të madh të golave gjatë një sezoni, 103. Sulmuesi Didier Drogba fitoi Këpucën e Artë të golashënuesit më të mirë pasi me het-trikun kundër Wiganit arriti në kuotën e 29 golave, tri më tepër se ylli i Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
Të dy ata kishin hyrë në xhiron e fundit me nga 26 gola. Chelsea mund të përmbyllë sezonin me triumf të dyfishtë pasi gjenden në finalen e FA Cupës kundër Portsmouthit, ndeshja që zhvillohet me 15 maj në stadiumin Wembley.
Në ndeshjet e tjera në xhiron e fundit në Premierligë, Arsenal siguroi pozitën e tretë, pas fitores 4-0 ndaj finalistit të Europa League, Fulham, ndërsa rivali londinez, Tottenham mbeti i katërti pas humbjes 4-2 nga Burnley, që sezonin e ardhshëm do të garojë në kategorinë e dytë, Championship.









