Të hënën zhvillohen dy ndeshje. E para, Holanda-Sllovakia në orën 16.00 dhe e dyta, Brazili-Kili, në orën 20.30. Ballafaqimi latinoamerikanë, Brazil-Kili me padurim pritet nga dashamirët e këtij sporti.
Brazili i fuqishëm përballë Kilit që po dëshmon lojëra të mira në botëror. Të dy kombëtaret kanë pasur nismë të mirë në botëror dhe me sukses kaluan fazën e grupit. Kombëtarja e Brazilit me përzgjedhësin Dunga presin fitore kundër Kilit. Brazili në fazën e Grupi G ka shënuar dy fitore, një herë barazoi.
Ata mposhtën me rezultat 2:1 Korenë e Veriut, pastaj Bregun Fildishtë me shifra 3:1 dhe së fundi barazoi 0:0 me Portugalinë. Ndërkaq, kombëtarja e Kilit në Grupin H shënoi fitore ndaj Zvicrës me rezultat 1:0, gjunjëzoi Hondurasin me rezultat 1:0 dhe së fundi humbi 2:1 nga Spanja. Në përgjithësi Brazili llogaritet favorit në ballafaqim me Kilin.
Nga viti 2004 e këndej Brazili gjithherë e ka mposhtur Kilin. Për Brazilin asnjëherë Kili nuk ka qenë rival i denjë, por tash gjërat mund të jenë më ndryshe në botëror. Kili fitoren e fundit ndaj Brazilit e ka arritur me 15 gusht të vitit 2000, kur e pati mundur me rezultat 2:1 në fazën e grupit të Amerikës. Që nga ajo kohë e këndej Kili nuk di çka është fitorja përpos një barazimit që ka shënuar 0:0 në vitin 2004 me brazilianët.
Brazili vazhdimisht ka dominuar dhe ka traditë superiore ndaj kombëtares kiliane. Samba braziliane është favorite jo vetëm ndaj Kilit, por nga shumë njohës të këtij sporti vlerësohet si kandidati numër një për ta fituar botërorin. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër takohen Holanda dhe Sllovakia, dy kombëtare më shumë të panjohura për njëri-tjetrin.
Holanda me traditë në botëror dhe Sllovakia që është hera e parë që merr pjesë në botëror, por në fakt çuan peshë botërorin. Sllovakët që eliminuan kampionin në fuqi të botës, Italinë, tashmë përgatisin formulën e gjunjëzimit edhe të ‘Tulipanëve”. Holanda në Grupin E ka shënuar tri fitore, duke mundur Kamerunin me rezultat 2:1, Japoninë 1:0 dhe Danimarkën me rezultat 2:0.
Sllovakia barazoi me Zelandën e Re 1:1, pësoi humbje me shifra 2:0 nga Paraguai dhe së fundi shënoi fitore historike 3:2 kundër Italisë. Holanda që ka një Robben të fuqishëm llogaritet favorite, por edhe Sllovakia ka lojën e vet. Holandezët nga bastet hiqen favorite të plotë, por në botëror gjithmonë kanë ndodhur befasitë dhe shumë herë ka fituar edhe kombëtarja që më së paku është pritur. Dy ballafaqime të së hënës priten me kureshtje: Brazili-Kili dhe Holanda-Sllovakia. /botasot









