Rekordmeni botëror, Usain Bolt u rikthye me fitore. Ai në mitingun e Ligës së Diamantit që u mbajt në Paris, triumfoi në disiplinën 100 metra, duke kaluar këtë distancë me kohë prej 9 sekonda e 84 të qindta.
Pas tij u ndal konkurrenti i tij kryesor xhamajkani tjetër, Asafa Pauel. Për Bolt kjo ishte gara e parë pas lëndimit të këmbës. Dominimin e atletëve nga Xhamajka në këtë disiplinë e kompletoi Johan Blejk i cili zuri pozitën e 3 me kohë prej 9 sekondash e 95 të qindta.
Në garën e vrapit në 200 metra në konkurrencë të femrave triumfoi amerikania Alyson Feliks. Ajo këtë distancë e kaloi me kohë prej 20 sekondash e 14 të qindta.
Kroatja Bllanka Vlashiq vazhdoi dominimin e saj në disiplinën kërcim për së larti, duke triumfuar për të katërtën herë në Ligën e Diamantit. Ajo kërceu 2 metra e 2 centimetra duke mposhtur konkurrenten e saj, amerikanen Shonti Houard Lov.









