Home » Kampionati Anglez » Boateng lëndohet në aeroplan, i shtyhet debutimi

Boateng lëndohet në aeroplan, i shtyhet debutimi

Mbrojtësi Jerome Boateng ka pritur që të ketë fillim shumë më të mbarë te skuadra angleze, Manchester City.

Reprezentuesi i Gjermanisë vlerësohet ndër përforcimet më të mëdha të Cityt, por atij i duhet të pret të paktën edhe një muaj për të zhvilluar ndeshjen e parë në Premier League.

21-vjeçarit Boateng, debutimi në kampionatin anglez i është shtyrë për shkak të një lëndimi të çuditshëm. Ai ka pësuar lëndim të gjurit, gjatë udhëtimit me aeroplan.

Boateng është lënduar pasi ka përplasur gjurin me karrocën e pijeve. Lëndimin e pësoi rrugës për në Manchester, pasi luajti me Përfaqësuesen e Gjermanisë në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës. Ky takim u zhvillua më 11 gusht që përfundoi pa fitues, 2:2.

Fillimisht ishte menduar se nga përplasja kishte mbetur vetëm një gërvishtje e vogël, por më vonë u konstatua se bëhet fjalë për një lëndim më serioz.

“Incidenti ishte shumë i mërzitshëm dhe i pazakontë. Lëndimin e mora në aeroplan nga karroca e pijeve.

Është për t’u çuditur, por ja që gjëra të tilla ndodhin”, ka thënë Boateng. “Startin tim te Manchester City e kam paramenduar krejt ndryshe. As që më ka shkuar mendja se para debutimit mund të pësoj një lëndim të kësaj natyre”.  Boateng nuk e ka ditur menjëherë se është i lënduar dhe ka vazhduar stërvitjet.

Ai madje ka luajtur për Cityn në ndeshjen miqësore kundër Valencias. Pasi dhimbjet filluan të rriten ai iu nënshtrua tretmanit mjekësor dhe kështu u bë e ditur se si erdhi deri te lëndimi. Boateng tani po trajtohet në Gjermani te specialisti i gjunjëve.

“Dua sa më shpejt të rikthehem në fushë të blertë. Në ndeshje me Valencian kam luajtur me dhimbje të gjurit, por nuk më ka shkuar mendja se karroca e pijeve më shkaktoi lëndim kaq serioz”, tha Boateng.

Shkaku i lëndimit, Boateng do t’i mungojë edhe Përfaqësueses së Gjermanisë në ndeshjet e para eliminatore për kampionatin evropian të vitit 2012. Gjermania më tre shtator takohet me Belgjikën, ndërsa pas katër ditësh me Azerbajxhanin.

Futbollisti me prejardhje nga Gana në City u transferua muajin e kaluar nga Hamburgu për 20 milion euro. Në City ka pagë mujore prej katër milion eurosh. Karrierën e ka nisur në Hertha Berlin. Për Gjermaninë ka luajtur 11 herë deri më tani.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni