Home » Formula 1 » Beteja për Gjermaninë

Beteja për Gjermaninë

Pas 10 garave të zhvilluara lirisht mund të thuhet se sezoni 2010 është ndoshta më interesantët në histori dhe po vazhdon një trend shumë të mirë të sezoneve interesante dhe të forta, të ndërpre përkohësisht më 2009, me dominimin e Braun GP-së.

Pesë ngasës të tri ekipeve të ndryshme kanë qenë fitues të këtyre dhjetë gara që është shifër impresiv dhe i pari nga i pesti në renditjen e përgjithshme ka distancë prej 47 pikëve, që me sistemin e ri të pikëve nuk është e paarritshme.

Gara e 11-të e këtij edicioni është gara për Shpërblimin e Madh të Gjermanisë, që dikur ka qenë garë e veçantë sepse zhvillohet në shtegun më të gjatë në Formula 1 (Nyrburgringun e vjetër), më pas ka qenë në fokus sepse ka qenë gara e shtëpisë për ngasësin më të suksesshëm në histori (Mihael Shumaherin), kurse tani është gara e shtëpisë për jo më pak 6 ngasës ose çerekun e ngasësve të Formulës 1 (Fetel, Rozberg, Shumaher, Zutil, Hylkenberg, Glok).

Hokenhaimi, gara dhe historia

Duke qenë shteti ku është prodhuar automobili i parë dhe një prej shteteve me auto-industrinë më të zhvilluar në botë,Gjermania ka qenë një prej vendeve që qysh herët ka investuar në auto-sport dhe e ka zhvilluar shumë këtë aktivitet.

Rrjedhimisht, gara për SHM të Gjermanisë është një nga më të vjetrat në botë. Kjo garë është një nga të paktat që është organizuar edhe para Luftës së Dytë Botërore dhe në atë kohë ngasësit dhe fabrikat gjermane dominimin jo vetëm në këtë garë por edhe në Evropë përgjithësisht.

Gara e Gjermanisë ka qenë pjesë e sezonit të parë në Formula 1 dhe që atëherë vetëm 2 vjet ka munguar në kalendarin e sportit më të shtrenjtë në botë (1955 dhe 2007).

Nga viti 1950 deri më 1976 kjo garë është zhvilluar në Nyrburgring. Shtegu legjendar me mbi 20 km gjatësi dhe më se 170 kthesa në një rreth ka qenë sfida më e madhe për ngasësit e asaj kohe dhe nuk është çudi pse çdo fitues i garës së Nyrburgringut mund të konsiderohet hero i autosportit.

Më 1976 në këtë shteg Niki Lauda pëson një aksident shumë të rëndë nga i cili mrekullisht shpëton gjallë dhe ky ishte fundi i “lidhjes” së Formulës 1 me Nyrburgringun e vjetër dhe gara u zhvendos në Hoknhaim.

Që nga viti 1977 e deri më tani kjo garë është zhvilluar në Hokenhaim përveç vitit 1984, 2007 dhe 2009. Viteve të fundit Hokenhaimi dhe Nyrburgringu kanë marrëveshje që garën ta organizojnë me alternacion, mirëpo, kjo gjë nuk është duke funksionuar shumë mirë dhe më 2007 Nyrburgringu organizoi garën për SHM të Evropës duke e lënë Gjermaninë “pa garë”.

Hokenhaim edhe pse vonë është inkuadruar në kalendarin e Formulës 1, është shteg me histori të pasur. Ky shteg u bë i njohur për të gjithë dhe ende mbahet në mend për një ngjarje që ndodhi më 1968. në një garë të Formulës 2, në Hokenhaim humbi jetën Xhimi Klark, kampion i dyfishtë i botës në Formula 1, në atë kohë edhe kampion aktual dhe një prej ngasësve më të mriz në histori.

Në Formula 1 nuk ka pasur fatalitete në Hokenhaim, por gjithsesi ka pasur aksidente të rënda si edhe gara të mira që do të mbahen në mend gjatë.

Deri më 2001, shtegu ka qenë i gjatë rreth 7 km dhe ka mundësuar arritje të shpejtësisë mbi 350 km/h, duke qenë kështu një shteg interesant për ngasës, por i rrezikshëm dhe shteg ku nuk zhvilloheshin shumë gara interesante.

Më 2002, Herman Tilke e “shkurtoi” Hokenhaimin në 4,5km duke e lënë jashtë përdorimit pjesën veriore, që është edhe pjesë historike e shtegut.

Ky veprim i Tilkes u kritikua shumë nga të gjithë sepse e “copëtoi” shtegun dhe dështoi në tentimin e krijimit të një shtegu më interesant dhe me më shumë mundësi për tejkalime. Ajo që Tilke i bëri Hokenhaimit, është shndërrimi i tij në një shteg teknikisht shumë më të komplikuar, njëkohësisht duke e bërë shteg me nivel shumë të lartë të sigurisë, gjë që nuk ka qenë më herët.

Profili teknik i shtegut

Hokenhaimi tani është shteg i gjatë 4,5 ku ngasësit bëjnë 67 rrathë për ta përfunduar garën. Për shkak të pozitës specifike gjeografike në fushat e Baden-Vyrtembergut, Hokenhaimi është zakonisht nga tri-katër shtigjet më të nxehta të vitit dhe qëndrueshmëria e gomave sidomos atyre të pasme është faktor shumë i rëndësishëm në këtë garë.

Përveç gomave pjesë shumë e rëndësishme është konfigurimi i aerodinamikës dhe amortizatorëve të bolidit. Pjesa kryesore e shtegut është ndërmjet kthesave 2 dhe 4 ku gjendet një kthesa “parabolika” që kalohet me gaz të plotë. Ekipet duhet të bëjnë kompromisin e duhur ndërmjet konfigurimit për shpejtësi maksimale (që kërkon shtypje të ulët aerodinamike dhe amortizatorë të fortë) dhe konfigurimit për shpejtësi në kthesa dhe në dalje nga to (që kërkon shtypje të lartë aerodinamike dhe amortizatorë të butë). Gjetja e këtij kompromisi nuk është punë e lehtë dhe ngasësit që e njohin mirë shtegun kanë përparësi të madhe meqë janë në gjendje të manovrojnë shumë më lehtë me bolid.

Shpejtësia prej 300 km/h kalohet vetëm një herë brenda rrethit, mirëpo, 70 % e rrethit kalohet me gaz të plotë që është vlera e dytë më e lartë në Formula 1 (pa Moncës në Itali).

Ky fakt shtegun e bën vështirë të përballueshëm edhe për motorë, që duhet të konfigurohen për elasticitet të madh.

Kthesat 4 dhe 6 vlerësohen si vendet më të mira për tejkalim, ndonëse nuk është reale të presim shumë tejkalime në këtë garë.

Çka mund të presim sivjet?

Ferrari dhe Fernando Alonso kanë paralajmëruar gjëra të mëdha për këtë garë dhe nëse dështojnë sërish Alonso mund të përshëndetet me titull, kurse Ferrari duhet të fillojë të mendojë për vitin e ardhshëm. Gjithçka përpos podium-finishit për Ferrarin do të ishte zhgënjim dhe problem i madh.. Red Buli vazhdon ta ketë bolidin më të mirë në botë për një rreth dhe do të ishte reale që ngasësit e këtij ekipi të vazhdojnë të dominojnë në kualifikime dhe së paku një nga ta (Fetel ose Veber) të niset nga rreshti i parë shartues. Në anën tjetër MekLareni besohet se në shpejtësi të garës mund të matet me Red Bulin dhe këtë e ka treguar në garat e fundit. Tifozët vendës do të donin fitore të Fetelit dhe se paku një Mercedes në podium (mundësisht Shumaherin, por pse jo edhe Rozbergun) dhe Mercedesi në garë të shtëpisë duhet të japë maksimumin.

Këto fakte bëjnë që të gjithë të presim një fundjavë interesante dhe një garë të mirë, kurse kthimi eventual i Ferrarit ose dominimi Red Buli në garë do ta bënte kampionatin shumë më interesant.

BOX 1

Renditja e ngasësve

1. Lewis Hamilton (GBR) McLaren 145

2. Jenson Button (GBR) McLaren 133

3. Mark Webber (AUS) Red Bull 128

4. Sebastian Vettel (GER) Red Bull 121

5. Fernando Alonso (SPA) Ferrari 98

BOX 2

Renditja e konstruktorëve

1. McLaren 278

2. Red Bull 249

3. Ferrari 165

4. Mercedes GP126

5. Renault 89

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni