“Besën e shohim në finale të kupës së Kosovës. Sa i përket titullit të kampionit do të jetë vështirë, pasi Trepça është shtatë pikë para nesh”, tha Genc Hoxha, kryetrajner i Besës.
Jo vetëm Besa e Pejës, por edhe shumë skuadra të tjera të elitës së futbollit të Kosovës do të nisin stinorin pranveror me vetëm një ndeshje miqësore. Kryetrajneri i Besës, Genc Hoxha, tha se megjithëse kanë zhvilluar pak ndeshje miqësore, skuadra e tij është e gatshme për sfida pranverore në Raiffeisen Superligën e Kosovës.
“Nga 12 janari jemi duke stërvitur dhe mendoj se jemi të gatshëm për nisjen e edicionit pranveror. Mirëpo, shtyrja e javës së parë të stinorit pranveror për mua dhe klubin tonë nuk paraqet risi. Nuk është hera e parë që ndodhin shtyrjet për shkak të kushteve të vështira në infrastrukturë të fushave që kanë shumica e skuadrave.
Për Besën nuk prishë punë kjo shtyrje, me siguri për ato skuadra që kanë zhvilluar përgatitjet jashtë Kosovës, vonesa të tilla janë jo të mirëseardhura. Kuptohet infrastruktura e dobët sportive ka qenë fatale për shumë skuadra që mos të kenë mundësi të zhvillojnë edhe ndeshje miqësore.
Si pasojë e kësaj, edhe Besa nuk ka mundur që të zhvillojë më shumë se një lojë miqësore dhe atë me Lirinë në Rogovë të Hasit. Këtë ndeshje miqësore e fituam me rezultat 3:1. Besa përveç një ndeshje miqësore ka zhvilluar edhe dy takime për kupën e Kosovës kundër Ballkanit, të cilat i kemi fituar: 2:0, 1:0.
Klubi jonë është i gatshëm për çdo sfidë megjithëse kemi pak ndeshje miqësore”, ka thënë Hoxha. Besës së Pejës i shkuan tre futbollistë, por i rikthyen dy. “Jemi të dobësuar pa dy futbollistë të repartit të mbrojtjes dhe një mesfushorë. Labinot Efendija, mbrojtës me pëlqimin e skuadrës është shkuar në Vëllaznim të Gjakovës, ndërsa Dëfrim Demaj, mbrojtës është larguar pa dijen tonë në Gjermani.
Ndërsa Denis Molliqaj, mesfushorë, para dy-tri ditëve me lejen e klubit është shkuar në Gjermani. Nga ana tjetër kemi rikthyer në klub, Fetim Kasapin, një futbollist mesfushorë me përvojë, si dhe Agron Cacajn, mbrojtës. Shpresoj se me këtë potencial të futbollistëve që kemi, Besa do të jetë mjaft e fortë dhe do të luftojë për pjesën e epërme të tabelës”, tha Hoxha.
Kryetrajneri pejan ka thënë se nuk i kanë çuar duart nga titulli, por sipas tij, nëse i jepet rasti do të kërkojnë edhe këtë trofe. “Paksa jemi larg me pikë, gjithsej shtatë pikë larg kryesuesit të tabelës, por nëse na jepet rasti edhe do të luftojmë për titull. Gjasat më të mira i kemi për kupën e Kosovës.
Mendoj se do të jemi në finale dhe do të arrijmë këtë objektiv. Synimi jonë është ngritja e cilësisë së lojës, të dëshmojmë futboll modern dhe që të kënaqim edhe dashamirët e kësaj loje”, theksoi Hoxha. Skuadra pejane është njëra prej atyre që të gjitha përgatitjet i ka zhvilluar në Kosovë.
Besa edhe pse nuk ka mundur të shkojë jashtë në përgatitje premtojnë lojëra të mira në pranverë. Kjo skuadër edicionin vjeshtor e ka përfunduar në vendin e gjashtë me 25 pikë të tubuara dhe gjendet shtatë pikë pas kampionit vjeshtor, Trepçës. /botasot









