Home » Kampionati Shqiptar » Besa merë kupën në shtëpi

Besa merë kupën në shtëpi

Besa “përmbys“ me rezultat 2:1 Vllazninë, duke e dërguar në Kavajë Kupën e 58-të të Shqipërisë. Falë kualiteteve më të mira që kishte në gjirin e saj, të cilat kanë sfiduar shpirtin e garës dhe dëshirën e madhe, madje edhe të sforcuar të kuqebluve, për ta marrë këtë trofe.

Nuk kanë mjaftuar vetëm 90 minuta lojë për ta përcaktuar fituesen e kësaj finaleje, por më shumë se kaq, 120 minuta, të cilat i kanë mbajtur të mbërthyera me emocione të shumta tifozët e shumtë në stadiumin “Qemal Stafa“, nga të dyja qytetet, që kanë prodhuar një dekor të mrekullueshëm.

Por të gëzuar, në fund të gjithckaje, kanë dalë kavajasit, ndërsa kuqeblutë kanë ikur drejt qytetit të tyre, Shkodër, të hidhëruar për verdiktin e finales, por ndoshta jo aq nga cfarë ka dhënë skuadra e tyre në fushën e blertë. Sidoqoftë, kupa ka shkuar në Kavajë, për herë të dytë në historinë e futbollit të këtij qyteti.Ndeshja ka nisur e kujdesshme për të dyja palët, të cilat studiojnë në fillim njëra-tjetrën.

Por vetëm 5 minuta lojë janë dashur të kalojnë, që Besa të tregojë fytyrën e saj më kualitative dhe kërkuese drejt portës së Grimës. E cila kalon momente të vështira, bashkë me prapavijën kuqeblu. Eshtë goleadori i njohur shkodran, por që luan në radhët e Besës, Vioresin Sinani, ai që e mban në alarm Vllazninë. I kudondodhur, tepër kërkues dhe me një dëshirë të madhe për të shënuar, Sinani e detyron mbrojtjen e Vllaznisë t’i përvishet një pune tepër të madhe për ta neutralizuar.

Madje vë në prove edhe portierin kuqeblu, Grima, pas një gjuajtjeje predhe, rreth 25 metra larg, që do të përfundonte në rrjetë, nëse zgjatja e stërmundimshme e gardianit të Vllaznisë nuk do të ishte në kohën e duhur. Minutat kalojnë dhe Besa mbetet në ofensivë, ndërsa kuqeblutë janë jo shumë të qartë. Nëse te kavajasit ka një Shkëmbi, që dirigjon lojën e të tijve, që fut topa tepër të rrezikshëm në zonën e shkodranëve nga goditjet standarde, te Vllaznia mungon një “busull“ e tillë. Mundohet të bëjë dicka Belisha, por gjendet shpeshherë në darën e menjëhershme të Mihanit, Mancakut dhe Pocit, që zotërojnë mesfushën.

Në kahun tjetër, Bala dhe Shtupina lëvizin shumë, por gjithsesi mbeten të parrezikshëm për kuadratin e Shehit, falë mbrojtjes kavajase, që është në lartësinë e duhur. Me rezultatin e bardhë 0-0 përfundon pjesa e parë, ndërkohë që e dyta nis me një ritëm tjetër të Vllaznisë. E cila shikon më shumë drejt portës kavajase, shton forcat sulmuese dhe mendon më shumë për golin. Besa, nga ana e saj, vijon të qarkullojë dendur dhe shpejt topin, duke e detyruar Vllazninë të harxhojë mjaft energji për t’u vënë në zotërim të sferës.

Derisa do të vinte minuta e 63-të, kur Nallbani ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit shkodran. Topi i goditur prej tij gjen kokën e Balës, i cili, duke iu vjedhur mbrojtjes kavajase, por i mbajtur në pozicion të rregullt nga Dragusha, realizon golin e parë të finales. Tifozëria kuqeblu është në delir, ndërsa ajo kavajase shokohet. Por nuk dekurajohen lojtarët e Besës në fushën e lojës, as trajneri Duro në stolin verdhezi, që nis ndërrimet e duhura dhe shton presionin në prapavijën kuqeblu.

Derisa e detyron mbrojtësin Kraja, nën presionin e Arapit, në një dyluftim ajror me kokë në zonën e portës së Grimës, ta dërgojë topin në rrjetën e tij. Rezultati barazohet, kur kishin mbetur vetëm 5 minuta nga përfundimi i ndeshjes, pikërisht kur shkodranët thuajse kishin filluar festën. E cila nuk ishte e thënë të bëhej në këtë mbrëmje, sepse koha shtesë i ka buzëqeshur Besës së Kavajës. Qe në minutën e 98-të, në shtesën e parë prej 15 minutash, ka gjetur edhe golin e fitores, me anë të Dhëmbit.

Pas një hezitimi të mbrojtjes kuqeblu, Poci gjendet i vetëm me Grimën, gjuan fort, por topi përplaset në trupin e numrit një të Vllaznisë. Sfera kthehet sërish në lojë, tek koka e Dhëmbit, i cili dikur afër pikës së penalltisë, me portën e boshatisur, me Grimën të dalë përpara, realizon golin e suksesit dhe të fitimit të trofeut. Minutat e mëpastajme janë një sforco e Vllaznisë për të barazuar, por pa mundur dot, edhe pse iu afrua kësaj gjëje. Vetëm ndërhyrjet vendimtare të Shehit, në dy raste, e kanë ruajtur të paprekur fitoren 2:1 për Besën, e cila e dërgon kupën në Kavajë.

Ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pranishëm gjatë gjithë ndeshjes në tribunën VIP, ai që ia dorëzoi kapitenit të Besës, Orges Shehi, trofeun e kupës, në shoqërinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kujtojmë se Besa e ka fituar Kupën e Shqipërisë edhe në vitin 2007, teksa mundi në finale 3:2 me Teutën, duke fituar për herë të parë trofeun.

Me fitimin nga ana Besës së Kupës së Shqipërisë u konfirmuan edhe ekipet që do të marrin pjesë në Europë për sezonin e ardhshëm. Dinamo, kampione, në Ligën e Kampioneve. Besa, fituese e Kupës së Shqipërisë në Ligën e Europës dhe po në këtë kompeticion do të marrin pjesë Laçi e Tirana, që ndajnë vendet 3 dhe 4.

BESA – VLLAZNIA 2:1 – 1:1 (0:0)

Gjyqtar: C.Sferin (Slloveni).

Shënues: Kraja 85’ (aut), Dhëmbi 98’ / Bala 63’

Kartonë të verdhë: Mihani, Vrapi, Smajli

BESA: Shehi, Dragusha, Vrapi, Arapi, Fagu, Shkëmbi, Poci (Babamusta 113’), Mancaku (Dhëmbi 67’), Mihani, Sinani (Hasalla 79’), D.Xhafa. Trajner: Shpëtim Duro

VLLAZNIA: Grima, Rajovic, Kraja, Doci (Alikaj 100’), Nallbani, Belisha, Osja (Haxhibulic 94’), Smajli, Shtupina, Feniks (Djepaxhia 97’), Bala. Trajner: Edi Martini

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: ,

Komentoni