Drejtuesit e klubit të hendbollit Kastrioti i Ferizaj (meshkujt) jo që ia kanë frikën Besa Famiglisë nga Peja, por sipas tyre barazimi dhe fitorja i bëjnë punë të mirë, por në rast të humbje ia komplikojnë paksa punët për titull.
Ballafaqimi Besa Famiglia dhe Kastrioti i Ferizajt, do të zhvillohet të premten në orën e vona (20.00) në palestrën e sportit Karagaç” në Pejë. Pejanët dhe ferizajasit njihen si skuadra që pas luftës kanë pas rivalitet të madh në fushë dhe gjithmonë rezultatet mes tyre kanë qenë të paqarta deri në fund.
Kapiteni i Besa Famiglias, Arben Muçolli, është më i relaksuar pas fitimit të trofeut të kupës, por pret lojë cilësore në përballje me ferizajasit. Ai është i bindur se me lojë të mirë mund të mposhtin Kastriotin, por në fakt ka një respekt për klubin me traditë.
Kastrioti i prin tabelës me 43 pikë dhe ka nëntë më shumë se Besa e treta dhe pesë pikë më tepër se i dyti, Prishtina. Kryetrajneri Fatmir Syla, tha se do të jetë ndeshje shumë e rëndë, duke marrë parasysh se pejanët kanë një skuadër shumë të mirë.
Syla tha gjithmonë këto skuadra mes vete kanë dëshmuar hendboll të cilësisë së lartë që aktualisht janë skuadra më të mira të hendbollit që ka Republika e Kosovës.
“Në fakt është ndeshje e rëndë sepse kemi të bëjmë me një skuadër të fortë. Fitorja dhe barazimi do të jenë plus për ne në luftë për titullin e kampionit, në rast të humbjes eventuale mund të vështirësohen ato deri diku, megjithatë kemi një epërsi të mirë ndaj të dytit në tabelë, Prishtinës. Përparësitë tona janë se Kastrioti ka motiv për fitore, por jo edhe Besa e cila është larg vendit të parë. Presim lojë të fortë, cilësore, si zakonisht që kanë dëshmuar këto skuadra. Skuadra jonë është komplet dhe do të orvatemi të japim maksimumin në fushë”, ka thënë Syla.
Në kuadër të javës së 24-të të Superligës së Kosovës, takohen të premten edhe Kosova e Vushtrrisë me kampionin në fuqi, Prishtinën. Hendbollistët e Prishtinës shkojnë për fitore dhe t’i ruajnë ende gjasat e pakta në luftë për titullin e kampionit. Të shtunë takohen Vëllaznimi i Gjakovës dhe Trepça nga Mitrovica.
Ndeshjet dhe gjyqtarët
E premte
Kosova-Prishtina 19.00 (Koro, Mitrovica; A.Vitaku).
Besa Famiglia-Kastrioti 20.00 (Azemi, Beqiri; Hashani)
E shtunë
Vëllaznimi-Trepça 17.00 (Murtezi, Mustafa; Zhuri). /botasot









