Plejmejkeri me prejardhje shqiptare Sani Beqiroviq ka luajtur në shumë turne të mëdhenj për Përfaqësuesen e Sllovenisë. Por, Beqiroviq thotë se për të kampionati botëror “Turqia 2010″ është më i dashur se të gjithë turnetë e mëparshëm. Ai nuk do të harrojë këtë botëror pasi nga pankina po drejtohet nga babai i tij, Mehmed Beqiroviq.
29-vjeçari Sani Beqiroviq për herë të parë në karrierën ndërkombëtare luan nën urdhrat e babait të tij Mehmed Beçiroviqit, që është përzgjedhës i Sllovenisë.
Beqiroviq pranon se në fillim e kishte vështirë të mësohej që në përfaqësuese të drejtohej nga babai. Me kalimin e kohës, sipas tij, gjërat ranë në vendin e vet. Ai thotë se në ndeshje dhe stërvitje raportet me babin i ka si të gjithë basketbollistët me trajnerët e tyre.
“Nuk ishte aspak e këndshme në fillim. Për disa ditë isha nervoz dhe nuk mund të luaja mirë. Por, në momentin kur basketbollistët e tjerë na kanë parë si lojtarë dhe trajnerë, gjithçka ishte mirë dhe nuk dukej më e pazakontë”, ka deklaruar Beqiroviq për sajtin zyrtar të FIBA-s.
“Trajtohem sikur të gjithë basketbollistët e tjerë. Kam luajtur nën urdhrat e tij më parë, por asnjëherë te përfaqësuesja. Di si të ndaj jetën personale nga ajo profesionale”.
Për Sani Beqiroviqin, botërori shënon rikthimin te Përfaqësuesja sllovene pas dy vitesh. Ai për herë të fundit në fanellën e Sllovenisë pati luajtur në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike “Pekini 2008″.
“Është ndjenjë fantastike të rikthehesh në ekip. Tash kemi një ekip shumë të fortë. Nuk duhet harruar se lojtarët e tjerë bën një punë të madhe vitin e kaluar në Kampionatin Evropian. Unë isha krenar me paraqitjet e tyre. Nuk kam mundur të luaja sepse është dashur t’i pushoj gjunjët, por ata që luajtën vitin e shkuar për Slloveninë e dërguan ekipin në një nivel të ri basketbolli”, ka shtuar Beqiroviq.
Beqiroviq ka thënë se një pjesë të meritës për suksesin e Sllovenisë e kanë edhe tifozët. Në botëror, Sllovenia përkrahet nga mesatarisht tre mijë tifozë.
“Tifozët i kemi të mrekullueshëm. Ata janë gjithmonë aty për të na përkrahur. Më pëlqen kur futem në palestër dhe shoh plot fanella të gjelbra në tribuna. Shpresoj që me përkrahjen e tyre do të shkojmë sa më lart në këtë kampionat, pasi kemi cilësi për ta bërë këtë”, u shpreh ai.
Përfaqësuesja e Sllovenisë bën pjesë në grupin B. Zë vendin e dytë me pesë pikë të mbledhura. Ka mposhtur Tunizinë e Kroacinë, ndërsa ka humbur nga SHBA-ja.
Dy ndeshjet e ardhshme në grup Sllovenia i luan me Brazilin të mërkurën (sot) dhe me Iranin të enjten.









