Kryetari i ISKA-së për Evropë, Fritz Exenbeger, ka thënë se më 8 maj në Prishtinë do të jetë ngjarje e madhe dhe adhuruesit do të kenë mundësinë të kënaqën me spektaklin e K-1 të Gladiatorëve.
Kampioni i botës (K-1 Nata e Gladiatorëve) në kategorinë e rëndë, në versionin e ISKA (International Sport Kickboxing Asociation), Xhavit Bajrami, me padurim pret që ta mbrojë titullin në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Bajrami i motivuar si asnjëherë më parë ka thënë se ka njohuri për rivalin e tij, Chris Knowles , të cilin do ta ketë përballë më 8 maj në ring në palestrën e sportit “1 Tetori” në Prishtinë.
Bajrami më 21 nëntor të vitit të kaluar, po në Prishtinë, për herë të parë boksoi dhe e fitoi titullin në ballafaqim me kick-boksierin francez, Freddy Kemayo. “Kick-boksieri britanik, Chris Knowles , është shumë i qëndrueshëm, peshon 120 kilogramë dhe ka përvojë.
Ai është ndër më të mirët në kick-boxin britanik, megjithatë konsideroj se përvoja ime do të bëjë të veten dhe do të triumfoj ndaj këtij garuesi. Është hera e dytë që do të zhvilloj meçin në Prishtinë, megjithëse kam pasur ofertë ta zhvilloj meçin edhe në Rusi dhe në vende të tjera.
Ky meç kuptohet se do të jetë shumë i vështirë, por iu premtoj adhuruesve të shumtë se do të jap maksimumin në ring dhe do ta mbroj titullin e fituar vitin e kaluar në Prishtinë”, tha Bajrami. Kryetari i ISKA-së për Evropë, Fritz Exenbeger, ka thënë se më 8 maj në Prishtinë do të jetë një ngjarje e madhe dhe adhuruesit do të kenë mundësinë të kënaqën me spektaklin e K-1 Nata e Gladiatorëve.
“Më 8 maj do të jetë ngjarje e veçantë në Prishtinë. Xhavit Bajrami do të dalë në ring për ta mbrojtur titullin e kampionit në versionin ISKA. Bajrami është kampion aktual dhe ka potencial të fortë që ta mbrojë titullin. Mendoj se do të jetë meç shumë i fortë e cilësor.
Kick-boksieri Chris Knowles është mjaft i fortë dhe ka mposhtur edhe ish-rivalin e Bajramit, Freddy Kemayon. Kjo nënkupton më së miri se çfarë luftëtari i madh është dhe për çfarë rivali të fortë bëhet fjalë”, tha Exenbegeri. Në vazhdim kick-boksieri Bajrami tha se përgatitjet për këtë meç të rëndësishëm do t’i zhvillojë në Zvicër.
Ai thotë se pret fitore dhe do t’i gëzojë adhuruesit me titullin e ri. “Shpresoj se do të përgatitem në mënyrën më të mirë për meçin e tetë majit. Synimi im është të përgatitem sa më mirë, të arrij formën e duhur dhe të korr fitore”, theksoi Bajrami. Exenbeger, kryetar i ISKA-së, tha se herën e kaluar në Prishtinë shikueshmëria dhe mënyra e organizimit i kanë lënë përshtypje jashtëzakonisht të mirë.
Exenbeger tregoi se këtë vit do të mbahet edhe Kampionati i parë në kick-box për amatorë në versionin ISKA. Sipas Exenbegerit edhe përfaqësuesja e Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në këtë kampionat botëror që do të zhvillohet në Spanjë. Përveç zhvillimit të meçit të Bajramit, në program do të jenë edhe pesë meçe të tjera të kick-boksit profesionist. Bajrami bëri të ditur emrat e kick-boksierëve të tjerë që do të dalin në arenën e K-1 Nata e Gladiatorëve.
“Në program janë edhe pese meçe profesioniste. Boksojnë pesë shqiptarë të tjerë: Blerim Rashiti, Shemsi Beqiri, Muhamet Hasani, Tefik Bajrami dhe Avni Kabashi. Përveç këtyre meçeve në program pritet të jenë edhe tri parameçe”, tha Bajrami. Organizatorët e kësaj ngjarjeje botërore shpresojnë se do të ndihmohen edhe nga institucionet e Kosovës, por edhe nga sponsorët e ndryshëm.









