Atletika si sport mund të mos jetë biznes shumë i madh në krahasim jo vetëm me futbollin, por edhe basketbollin, bejsbollin, automobilizmin ose ndonjë sport tjetër që në shkallë globale ka shumë shikues dhe rrjedhimisht edhe shumë sponsorë.
Megjithatë, fjala është për një prej sporteve të popullarizuara dhe shumë të respektuara në botë, për një sport që është ndër të paktit me përmasa vërtetë globale, meqë atletët ë nivelit botëror ka në të gjitha kontinentet dhe ky sport kultivohet gjithandej, kurse për shkak të disiplinave që e përbëjnë atletikën, rolin e saj në histori të Lojërave Olimpike dhe të sportit, atletika me shumë të drejtë quhet “mbretëresha e sporteve”.
Në Kosovë thuhet se ky sport dikur ka qenë në shkallë të lartë të zhvillimit dhe në disiplina të fushës (gjyle, disk, çekan), atletët e Kosovës, sidomos ata të grupmoshave të reja kanë mundur të maten me atletët tjerë jugosllav me të cilët garonin në shtetin e dikurshëm. Kjo “thuhet” fatkeqësisht duhet të përdoret si e tillë, sepse sot e kësaj dite në Kosovë nuk dihen rekordet shtetërore për shumë disiplina, nuk ka vazhdimësi të përcjelljes së rezultateve dhe të punës dhe askush (ose fare pak njerëz) mund të argumentojnë progresin (ose regresin) e atletikës së Kosovës me shifra dhe fakte siç bëhet në tërë botën.
Kështu, ajo që dihet për atletikën në Kosovë është se garat jashtë stadiumeve (maratona, gjysmëmaratona dhe kroset) kanë më shumë përparësi sesa garat që zhvillohen në fushë dhe në shteg. Në Kosovë, vetëm stadiumi në Mitrovicë mund të përdoret për të zhvilluar gara të rregullta të atletikës, kurse në disa stadiume të tjera ku ka ekzistuar shtegu i atletikës, ato janë shkatërruar. Madje as në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë garat nuk zhvillohen me rregull, ekipet (as ato mitrovicase) nuk e përdorin me rregull atë vend për stërvitje, kurse për matje elektronike dhe vërtetim të rekordeve ose rezultateve të arritura as që mund të flitet.
Kështu, “mbretëresha e sporteve”, në Kosovë nuk është asgjë më shumë sesa një “lypëse” dhe duket se askush nuk e ka ndër mend t’ia përmirësojë këtë status. Sporti në Kosovë ka kohë që është në gjendje të keqe dhe për këtë mërziten shumë pak njerëz. Atletika është një prej dëshmive më të mira për këtë pohim.









